5.700 fëmijë kanë humbur jetën si pasojë e luftës në Jemen

Organizata për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut (SAM) me qendër në Gjenevë njoftoi se që nga fillimi i luftës e deri më tani në Jemen kanë humbur jetën 5.700 fëmijë, transmeton Anadolu.

Me rastin e 20 nëntorit Ditës Botërore të Fëmijëve, SAM në një deklaratë me shkrim tha se në luftën që vazhdon prej 6 vitesh në Jemen kanë humbur jetën 5.700 fëmijë dhe se fëmijët jemenas kanë përjetuar një fatkeqësi për shkak të politikës luftarake të Huthive me mbështetje iraniane si dhe Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA).

Në deklaratë vihet theksi se në Jemen 30 mijë fëmijë përballen me shkeljet e palëve ndërluftuese dhe se rreth 2 milionë fëmijë nuk mund të shkojnë në shkollë për shkak të bombardimeve pa objektiv dhe për shkak të përdorimit të shkollave me qëllime ushtarake.

Më tej thuhet se vetëm në qytetin Taiz kanë humbur jetën 1.000 fëmijë dhe se rreth 4.000 të tjerë janë plagosur.

Në deklaratën ku dënohen të gjitha shkeljet e kryera ndaj fëmijëve, i bëhet thirrje OKB-së që të vendos në listën e zezë të gjitha palët që kryejnë këto sulme.

Jemeni është përfshirë nga dhuna dhe kaosi që nga shtatori i vitit 2014 kur Huthit të mbështetur nga Irani morën nën kontroll disa rajone të vendit, përfshirë kryeqytetin, Sana. Ndërsa forcat e koalicionit nën udhëheqjen e Arabisë Saudite që nga marsi i vitit 2015 e deri më tani ofrojnë mbështetje për qeverinë e Jemenit kundër Huthive.

Sipas OKB-së më shumë se 80 për qind e popullatës kanë nevojë për ndihma humanitare dhe mbrojtje në Jemen në të cilin po përjetohet një nga krizat më të mëdha humanitare të botës.

LEXO EDHE:

Back to top button