5 linja të transportit urban në grevë, kërkojnë kompensimin për tre muaj

5 linja të transportit urban në grevë, kërkojnë kompensimin për tre muaj

Gazetar: Mefail Ismaili

Autobusët privatë të Linjave 19, 20, 22, 52 dhe 54 prej sot janë në grevë dhe nuk qarkullojnë në linjat e tyre. Kjo për shkak se Qyteti i Shkupit dhe Ndërmarrja për Qarkullim Publik i ka borxh kompanisë “Makekspres trans”, rreth 500 mijë euro, ose 30 milion denarë. Drejtori i Kompanisë Millorad Dimitrievski deklaron se për tre muaj nuk kanë marrë asnjë pagë nga Qyteti i Shkupit dhe nuk mund të vazhdojnë të punojnë. Ai tha se që nga java e kaluar kanë kërkuar takim me Qytetin e Shkupit dhe NQP-në por, kërkesa e tyre nuk është marrë parasysh.

“Ne javën e kaluar dërguam kërkesë deri tek kryetarja e Qytetit, Sekretari por nuk gjetëm mirëkuptim dhe nuk kishim takim, pritëm gjatë ditës së sotme që të jemi të kontaktuar por deri më tani nuk kemi marrë asnjë kontakt nga ndërmarrja për qarkullim publik ose nga Qyteti. Sipas marrëveshjes çdo javë duhet të na paguajnë 70% të punës së bërë për javën që e lëmë pas, ndërsa në fund të muajit bëhet raporti përfundimtar i pagesës”, tha Millorad Dimitrievski, Makekspres Trans.

Shoferët që kanë autobusët e tyre dhe që vozisin në këto linja thonë se për tre muaj janë munduar të punojnë pa marrë asnjë pagesë, duke punuar edhe në humbje për shkak të rritjes së çmimeve të derivateve.

“Për këto tre muaj që është në minus Qyteti i Shkupit jemi detyruar të gjendemi siç kemi mundur, me huazime, me marrjen e kredive ose me marrëveshje me pompat e benzinës që mos ta ndërpresim procesin e punës, por ka ardhur puna deri aty ku nuk kemi mundësi që të vazhdojmë më… ne ato i kemi borxh diku, duhet ti kthejmë, ka plot prej kolegëve që ua kanë ndërprerë borxhin pompat e benzinës, pasi është bërë borxhi i madh e nuk lëshojnë për të marrë më”, u shpreh Hisen Halili, shofer i autobusëve.

Nga Qyteti i Shkupit heshtin për gjendjen e krijuar me kompanitë private që kanë linjat e autobusëve. Ndërsa nga Ndërmarrja për Qarkullim Publik thonë se linjat e autobusëve privat i kanë zëvendësuar me autobusët e ndërmarrje.

“NQP Shkup prej në mëngjes ka inkuadruar automjetet e saj në linjat të cilat i ka ‘Makekspres’, respektivisht shkupjanet nuk mbetën pa transport në linjat të cilat i ka transportuesi privat”, thonë nga Ndërmarrja për Qarkullim Publik – Shkup.

Pasojat nga e gjithë kjo situatë i vuajnë edhe qytetarët.

“Në shtëpi prita thuajse 20 minuta nuk kishte, tani sapo erdha”.

“Nga gjysmë ore, një or. Një orë është shumë për të pritur. Aj unë jam pensionist kam kohë e presim, por ka që dikush është në punë, puna nuk e pret, punën e ka të caktuar”.

Qyteti i Shkupit dhe Ndërmarrja për Qarkullim Publik kanë borxh edhe më të madh ndaj transportuesit tjetër privat, shuma e të cilit për momentin është mbi 700 mijë euro./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button