“7 Marsi”, aksion për pastrimin e oborrit të shkollës

“7 Marsi”, aksion për pastrimin e oborrit të shkollës

 Gazetare: Melihate Rrustemi

Oborri i shkollës fillore “7 Marsi” në Çair tashmë disa herë është shndërruar në kosh mbeturinash. Drejtuesit e shkollës ankohen se në orët e vona të natës, qytetarë të panjohur hedhin mbeturina të ndryshme në oborrin e shkollës duke krijuar pasqyrë jo të hijshme për këtë shkollë.

“Kontejnerët që  shfrytëzohen janë të shkollës. Përveç se mbeturina të thjeshta ka materiale ndërtimore, mobile të vjetra edhe shumë gjëra të tjera që s’janë mbeturina të shkollës dhe shihen që nuk janë të shkollës. Varen qese me mbeturina, me rroba të vjetra. Parku I shkollës shfrytëzohet edhe nga qytetarët. Ndoshta, me ndërgjegje a pa ndërgjegje të pastër ata qytetarë të cilët vetëm e shfrytëzojnë ose e mirëmbajnë e ndotin, e shohin një pjesë si park relaksues ose kosh mbeturinash”, tha Fitore Qirezi, drejtoreshë e sh.f “7 Marsi”.

Ndërkohë, nxënësit bashkë me mësimdhënësit përveshën mëngët për pastruar oborrin e shkollës. Përveç banorëve, nxënësit drejtuan kritika edhe ndaj bashkëmoshatarëve të tyre.

“Nuk i kushtojmë sa duhet, mundemi me i kushtu edhe më shumë vëmendje por, do të mundohemi të bëhet edhe më mirë”, u shpreh një nxënës.

“Çdo mëngjes që kemi ardhur kemi has në mbeturina të shumta që nuk janë tonat, për shembull kemi has ushqime, cigare dhe plot gjëra që fatkeqësisht nuk i përdorim ne”, tha një tjetër nxënëse.

“Kemi pa mobile të vjetra, karrige, televizor, pampers, gjithçka kemi pa këtu. Këto kontejnerët janë vetëm në përdorim të shkollës, nuk I kuptoj pse I hedhin këtu”, u shpreh një tjetër nxënëse.

Banorët që jetojnë për rreth apelojnë për vetëdijesim të fqinjëve të tyre.

“Edhe qytetarët që dalin, me fëmijë ose prind, hanë dhe pinë nuk e pastrojnë mbeturinën, me marr me hedh në shportë ose me një qese me hedh. Ne si lagje gjithmonë e kemi mirëmbajt mirëpo kur nuk i ki komplet mjetet nuk ke ndihmë”, u shpreoh një banor.

Gjithashtu, drejtuesit e shkollës ankohen se shpesh herë kanë paguar nga xhepi i tyre për të larguar mbeturinat voluminoze. /alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button