70% e kompanive kanë paguar tatimin solidar, Bytyqi: Nuk besoj se kushtetuesja e shfuqizon ligjin

70% e kompanive kanë paguar tatimin solidar, Bytyqi: Nuk besoj se kushtetuesja e shfuqizon ligjin

Gazetar: Adnan Qaili

Rreth 70% të kompanive që janë përfshirë nga ligj deri të hënën e kanë kryer pagesën e tatimit solidar. Nga Qeveria thonë se 30% i mbetur është duke shqyrtuar modalitetet ligjore me administratën tatimore për të bërë re programimin të shlyerjes së obligimeve ndaj shtetit. Zv/kryeministri për çështje ekonomike tha se nuk ka ngecje apo mospagime deri në afatin ligjor që skadoi më datën 25 tetor. Fatmir Bytyqi tha se nuk beson që Gjykata Kushtetuese do ta shfuqizoj këtë ligj, por nëse ndodh, hiqet tatimi nga viti radhës. Në mesin e kompanive që janë tatuar me taksën e solidaritetit ka edhe ndërmarrje publike e shtetërore. Në mesin e tyre është edhe Fondi për sigurim Pensional invalidor, që ka kaluar limitin e fitimeve vjetore.

“Ka disa, me faktin që ata janë obligues tatimor nuk mund të kenë trajtim të ndryshëm! Çdo kompani qoftë publike apo private të cilat kanë përmbushur kushtet e ligjit solidar duhet të shlyejnë obligimet. Ka së paku 5 kompani, ja do t’ju duket e çuditshme për është Ndërmarrja Publike për menaxhimin me pyjet dhe disa ndërmarrje më të vogla publike dhe shtetërore që kanë obligime më të vogla financiare”, tha Fatmir Bytyqi, Zëvendëskryeministër për çështje ekonomike.

Por i gjithë ky ligj mbetet i varur nga Gjykata Kushtetuese, e cila pritet të merr një vendim sipas nismave të Odës Ekonomike të Maqedonisë dhe një nisme të ngjashme vetanake nga një kompani private. Nga atje thonë se akoma nuk kanë vënë në rend të ditës nëse do të kontestohet Ligji i tatimit Solidar.
Nga Ministria e Financave kumtojnë se deri të premten janë paguar mbi 35 milion euro nga 111 firma.

“Sipas Ligjit për Tatimin e Solidaritetit, deri më 27 tetor 2023 janë paguar gjithsej 2,172 miliardë denarë nga 111 kompani. Sipas Ligjit për Tatimin e Solidaritetit, tatimpaguesit, të ardhurat totale vjetore të të cilëve janë mbi 10 milionë euro, kanë detyrim të llogarisin dhe paguajnë tatimin e solidaritetit, dhe njëkohësisht kanë një fitim të rritur mbi 20% në vitin 2022 krahasuar me mesataren e tatimit, për periudhat nga viti 2017 deri në vitin 2019, me përjashtim të vitit 2020”, nënvizoi Ministria e Financave.

Sipas përllogaritjeve zyrtare përmes taksës së solidaritetit parashikohet të arkëtohen rreth 90 milion euro. Nga të hyrat që kanë deklaruar në DAP për 2022-ën, kësaj takse do ti detyrohen mbi 200 kompani.
Përllogaritja është e thjeshtë, çdo kompani që ka gjeneruar të hyra 20% më shumë se në 3 vitet e kaluara të cilat njëkohësisht kjo përqindje kalon 10 milion euro do të kushtëzohen të paguajnë taksën solidare.

Ata që kundërshtojnë fort këtë taksë janë vetë Oda ekonomik e Maqedonisë, e cila kërkon të mos bëhet. Sipas kësaj Ode me vendosjen e taksës krijohet klimë negative e biznesit dhe nxitet ekonomia joformale. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button