8.5 milion euro investim për digjitalizimin e librave amë – Qytetarët ende marrin certifikatat të përgatitura me makinë shtypi!

8.5 milion euro investim për digjitalizimin e librave amë – Qytetarët ende marrin certifikatat të përgatitura me makinë shtypi!

Gazetare: Linda Ebibi

Pavarësisht faktit se digjitalizimi i librave amë filloi më shumë se 10 vite më parë, procesi ende nuk ka përfunduar, ndërsa për të janë investuar afërsisht 8.5 milionë euro, shkruan Alsat.

Sipas Entit Shtetëror të Revizionit, një numër i madh i qytetarëve ende marrin certifikata të lindjes të punuara me makinë shtypi.

Vetëm 52 për qind e të dhënave të regjistrit amë janë skanuar, ndërsa 49 për qind janë futur në regjistrin elektronik.

“Projekti i digjitalizimit i kushtoi buxhetit të shtetit më shumë se sa ishte planifikuar, kostoja u rritën nga 13.1 milionë denarë të planifikuara fillimisht, në mbi 157 milionë denarë vetëm për një fazë, ndërsa kostoja totale që nga fillimi i projektit në vitin 2012 arriti në mbi 520 milionë denarë”, thuhet nga Enti Shtetëror i Revizionit.

Për përshpejtim të procesit, 216 persona u punësuan me kontrata pune mes viteve 2018 dhe 2024 për të futur të dhëna në regjistrin elektronik të librave amë. Megjithatë, sipas revizionit shumica e tyre nuk  punonin në futjen e të dhënave, por ishin të angazhuar në detyra të tjera pune, ndërsa për këtë qëllim u paguna më shumë se 30 milionë denarë.

“Drejtoria për Menaxhim me Librat Amë nuk ka siguruar kushte të përshtatshme për ruajtjen dhe mbrojtjen e materialit arkivor dhe librave amë me vlerë të qëndrueshme, dhe shumë prej tyre janë të dëmtuar ose nuk mund të përdoren më si provë e të dhënave të regjistruara. Gjithashtu, nuk ka një sistem për regjistrimin dhe gjetjen e centralizuar të librave, gjë që rrit edhe më tej rrezikun e humbjes ose dëmtimit të tyre”, thuhet tutje nga Enti Shtetëror i Revizionit.

Revizioni nxjerr në pah edhe mospërputhjet midis legjislacionit dhe akteve nënligjore, të cilat çojnë në lëshimin e certifikatave të paplota dhe të pa unifikuara për qytetarët.

Në të njëjtën kohë, është identifikuar një mungesë e konsiderueshme e ekspertëve të kualifikuar të IT-së në Administratë, gjë që kërcënon sigurinë e sistemit elektronik dhe lejon qasje të paautorizuar dhe veprime të mundshme korruptive.

Vetëm në kryeqytet lëshohen 92 për qind e certifikatave elektronike, ndërsa në qytetet më të mëdha dhe zonat rurale përdorimi i tyre është shumë i ulët.

Për më tepër, në zyrën rajonale të Shkupit ku lëshohen shumica e certifikatave, sistemi për marrjen e numrave nuk përdoret, gjë që krijon kushte për pritje në radhë të gjata dhe rrit rrezikun e korrupsionit./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button