83 mandate/ Edi Rama do të jetë kryeministër i Shqipërisë edhe për një mandat tjetër
83 mandate/ Edi Rama do të jetë kryeministër i Shqipërisë edhe për një mandat tjetër

Gazetare: Fatlume Dervishi
Shqipëria u zgjua një ditë pas zgjedhje në pritje të rezultateve zyrtare të cilat tashmë janë pothuajse të qarta dhe nuk pritet të sjellin asnjë befasi tek vijon numërimi i votave.
Rezultatet paraprake tregojnë një avantazh të thellë për Partinë Socialiste, e cila kryeson me 53% të votave dhe parashikohet të sigurojë 83 mandate në Kuvend.
Kryeministri Rama nuk ka pasur akoma komunikimin e parë me mediat pas këtyre rezultateve por sot në orët e paraditës në rrjetet sociale shkroi “Çfarë agimi ky sot”.
Partia Demokratike renditet e dyta me 34% të votave, duke marrë deri tani 51 mandate. PD-ja vijon të ruajë bastionet e saj tradicionale në veri të vendit; Shkodrën dhe Kukësin. Kreu i saj Sali Berisha bëri akuza për presione ndaj trupave të numërimit të votave nga ana e pushtetit.
Ndërkohë, Partia Socialdemokrate e Tom Doshit ka marrë 4% të votave, që përkthehet në 3 mandate. Gjithashtu deri më tani kanë arritur të sigurojnë përfaqësim: Nisma Shqipëria Bëhet dhe Mundësia me nga 3% të votave kanë fituar nga një mandat secila, ndërsa Bashkë me 1% të votave ka marrë gjithashtu një mandat. Partitë e tjera deri në këtë fazë të numërimit nuk kanë arritur të sigurojnë mandate në Kuvend.
Deri tani janë numëruar rreth 30% e kutive të votimit kurse numërimi vazhdon në të gjitha qarqet. Dalja në votime një ditë më parë ishte rreth 42%.
Ndërkohë në Fier është arrestuar me urdhër të SPAK-ut babai i kandidates së Partisë Social Demokrate, 63-vjeçari Pandeli Bozha. Ai dyshohet se gjatë një muaji, iu ka dhënë shuma parash, shtetasve të ndryshëm, me qëllim blerjen e votave në favor të kandidates, Limonera Bozha.
Këto zgjedhje në Shqipëri ishin të veçanta edhe për nga numri i politikanëve që votuan nga qelia si kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta. / Alsat.mk