Dimitrov: Qëndrimet e sekretares portugeze nuk përfaqësojnë qëndrimin e Qeverisë së Lisbonës

Qeveria ka reaguar pas deklaratës së fundit të sekretares për çështjeve evropiane të Portugalisë, Ana Paula Zakarijash, sipas të cilës “gjuha e Maqedonisë së Veriut dikur ka qenë pjesë e gjuhës bullgare dhe dimensioneve kulturore të të dy vendeve”. Autoritetet në Shkup thonë se në komunikim me qeverinë portugeze kanë marrë konfirmimin se ajo nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të Lisbonës.
https://www.youtube.com/watch?v=KBU3MYQHOEA
Morëm konfirmimin se deklarata aspak nuk e pasqyron qëndrimin e Lisbonës i cili mbetet në vijë me propozimin portugez dhe shprehën keqardhje. Deklarata e saj, nëse është transmetuar me përpikëri, edhe në thelb, edhe me metodologji, është tërësisht në kundërshtim me propozimin portugez për gjetjen e zgjidhjes. Në këtë kuptim, kjo deklaratë nuk ndihmon aspak në procesin e ndërtimit të besimit dhe mirëkuptimit të përbashkët – deklaroi Nikolla Dimitrov, zv/kryeministër për çështje evropiane.
Sipas Dimitrovit, propozimi portugez për zgjidhjen e kontestit mes Shkupit dhe Sofjes përdor qartë formulimin “gjuhë maqedonase” dhe propozon deklaratë unilaterale nga pala bullgare për pozitën e saj rreth kësaj çështje.
Presidenti Stevo Pendarovski ka dënuar gjithashtu deklaratën e Zakarijash.
Nga historianët që merren me politikë, më të këqij janë vetëm politikanët që përpiqen të interpretojnë epoka historike. Mua sinqerisht më vjen keq për deklaratën e gabuar të ministres portugeze e cila në thelb i varros të gjitha përpjekjet që kolegu i saj nga qeveria e njëjtë Silva i bëri disa muaj me radhë që në fund të presidencës gjashtëmujore të dalë me një propozim të shkëlqyer të balancuar që mbante llogari për interesat vitale nacionale edhe të Maqedonisë së Veriut, edhe të Bullgarisë. Lajmi i mirë është që presidenca portugeze përfundoi – u shpreh Stevo Pendarovski, president.
Pendarovski shtoi se beson në mbështetjen e Sllovenisë e cila e merr presidencën e BE-së në gjashtë muajt e ardhshëm. Ai tha se Sllovenia është një ndër avokatët më të mirë të rajonit, njeh mirë mentalitetin dhe turbulencat nëpër të cilat kanë kaluar vendet. Këtë koment presidenti e bëri gjatë vizitës zyrtare në Kroaci. Përfaqësues të pushtetit slloven do të qëndrojnë në vend gjatë ditëve të ardhshme, nga ku pritet të konfirmojnë mbështetjen për fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut në BE.
Fatlume Dervishi