Shkon në 20 numri i viktimave në aeroportin e Kabulit, mes tyre shumë fëmijë

Një kamikaz ka shpërthyer veten në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, duke vrarë të paktën 20 persona, mes viktimave edhe shumë fëmijë. Shpërthimi është shënuar jashtë aeroportit të Kabulit në njërën nga portat hyrëse ku për ditë më radhë qytetarë afganë janë mbledhur në përpjekje të dëshpëruar për të lëshuar Afganistanin. Sulmuesi kamikaz ka shpërthyer veten në erë duke vrarë dhe lënduar disa persona që janë ndodhur afër. Pentagoni deklaroi se disa anëtarë të trupave amerikane ishin të përfshirë por nuk janë dhënë detaje për gjendjen e tyre. Gazetarët e mediave të huaja që raportojnë nga vendi i ngjarjes supozojnë se viktimat janë civilë por në mesin e tyre janë edhe të paktën 4 ushtarë amerikanë. Ndërkohë Britania e Madhe njoftoi se asnjë ushtarë i saj nuk është lënduar.

Shpërthimi i dytë, siç ka njoftuar Pentagoni, ka ndodhur në një hotel, pak metra larg vendit ku ka ndodhur shpërthimi i parë.

Ndërkohë, raportohet se është qëlluar edhe në drejtim të një avioni ushtarak italian, menjëherë pasi u ngrit nga aeroporti i Kabulit, por ende nuk dihet se kush ka qëlluar dhe pse. Nuk raportohet për dëmtim të aeroplanit, transmetoi Reuters, duke cituar burime ushtarake.

Presidenti Xho Bajden ka thirrur urgjentisht në takim ekipin e tij të sigurisë kombëtare. Presidenti francez Emanuel Makron ka deklaruar se orët e ardhshme do të jenë jashtëzakonisht të rrezikshme në Kabul.

Sot Shtetet e Bashkuara dhe aleatët u kërkuan shtetasve të tyre dhe afganëve të largoheshin nga zona për shkak të rrezikut dhe kërcënimit për sulm nga Shteti Islamik. Dyshimet për sulm të mundshëm i kishin publikuar edhe talibanët të cilët kishin thënë se kjo pritej të ndodhte për të dëmtuar imazhin e tyre.

Mijëra njerëz janë mbledhur jashtë aeroportit ditët e fundit. Trupat perëndimore po mundohen të evakuojnë të huajt dhe afganët që ndihmuan vendet perëndimore gjatë luftës 20-vjeçare kundër talibanëve dhe për të dalë vetë deri në 31 gusht.

 

LEXO EDHE:

Back to top button