Sulmi me raketë në aeroportin e Kabulit nuk i ndal përpjekjet e SHBA-së për evakuim

Shtëpia e Bardhë njoftoi të hënën se operacionet në aeroportin e Kabulit në Afganistan po “vazhdojnë pandërprerje” edhe pas një sulmi me raketa.
Sipas dëshmitarëve bëhej fjalë për disa raketa. Një zyrtar amerikan i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” se ato ishin asgjesuar nga një sistem i mbrojtjes raketore.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha në një deklaratë se Presidenti Joe Biden ishte informuar rreth sulmit dhe se kishte “ripërsëritur urdhrin për dyfishim të përpjekjeve për të bërë gjithçka që është e nevojshme për të mbrojtur forcat amerikane në terren”.
Shtetet e Bashkuara po punojnë për të përfunduar evakuimet nga Kabuli para 31 gushtit, që shënon dhe afatit e fundit për qëndrimin e forcave amerikane në Afganistan. Evakuimet vazhdojnë mes përkeqësimit të situatës së sigurisë, përfshirë një sulm vetëvrasës jashtë aeroportit të enjten, i cili shkaktoi vdekjen e të paktën 169 civilëve afganë si dhe 13 ushtarëve amerikanë.
Ndërkohë ushtria amerikane po heton rreth njoftimeve për civilë të vrarë pas një sulmi ajror të dielën, që u tha se eliminoi “një kërcënim të afërt të ISIS-K (Shteti Islamik në Khorasan) ndaj aeroportit ndërkombëtar Hamid Karzai”.
“Do të na trishtonte thellësisht çdo humbje e mundshme e jetëve të pafajshme“, tha kapiten Bill Urban, zëdhënësi i CENTCOM (Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara), në një deklaratë të dielën në mbrëmje.
Zoti Urban tha se pasojat e sulmit ajror ishin ende duke u vlerësuar dhe se shpërthimet dytësore “mund të kenë shkaktuar viktima të tjera”.
“Është e paqartë se çfarë mund të ketë ndodhur dhe ne jemi duke hetuar”, tha ai.
Sipas një njoftimi të gazetës “New York Times”, sulmi me dron ose shpërthimet dytësore, shkaktuan vdekjen e nëntë civilëve, mes tyre fëmijë.