BDI prezantoi kandidatët për Gostivarin dhe Çairin, ASH-AAA nesër vendos për Tetovën

Partitë politike drejt përfundimit të kandidaturave për zgjedhjet lokale. BDI në Gostivar do të garojë me ish kreun e kësaj komune, Nevzat Bejta, ndërsa në Çair edhe një mandat do ta kërkojë me kryetarin aktual Visar Ganiu. Ne mbledhjen e sotme të Këshillit partiak të mbajtur në Gostivar, partia e Ahmetit konfirmoi edhe emrat e lakuar më herët për Likovën, Sarajin, Tetovën, Dibrën, Strugën dhe komunat e tjera, ndërsa për Dollnenin do të vendoset ditëve në vijim. Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani tha se këshilli ka pranuar emrat e propozuar nga kreu i partisë.
https://youtu.be/B8eZ9HR8HRQ
Nuk po thirrem vetëm në përshtypjet e mia, nuk po thirrem vetëm në sondazhet tona. I kemi krahasuar edhe sondazhet e partive tjera, madje edhe nga oponentët. Në të gjitha këto del se BDI-ja do të jetë fitues absolut i këtyre zgjedhjeve”, tha Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.
Ndërkohë Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa për të dielën kanë thirrur mbledhjen e Kuvendit Qendror ku do të shqyrtohen dy kandidaturat për Tetovën. Nga koalicioni opozitar bëjnë të ditur se organet partiake do të vendosin mes Vullnet Murselit dhe profesoreshës Vjollcë Berisha. Në bllokun politik maqedonas subjektet akoma janë duke shqyrtuar emrat e kandidatëve. LSDM-ja akuzon VMRO-DPMNE-në për mungesë kuadri në disa komuna. Sipas Socialdemokratëve ky problem i opozitës vjen nga fakti se askush nuk dëshiron të garojë për humbje.
Askush nuk pranon të jetë kandidat i partisë humbëse. Për këtë arsye çdo ditë në opinion rrjedhin informacione për konflikte të brendshme në VMRO-DPMNE dhe koalicionin e tyre humbës”, thonë nga LSDM.
Deri në mesin e muajit gusht partia e Hristijan Mickoskit ka caktuar 26 kandidatë për kryetar komunash, ndërsa kishte paralajmëruar se deri në fund të muajit do të dihen emrat e të gjithë kandidatëve. Afati përfundimtar për dorëzimin e listave të kandidatëve për kryetar komunash dhe listave për këshilltarë përfundon më 11 shtator, përkatësisht 35 ditë para raundit të parë të zgjedhjeve lokale të caktuara për 17 tetor.
Adrian Kerimi