Pamje të reja amatore nga zjarri që shkrumboi spitalin modular në Tetovë

Televizioni Alsat ka siguruar pamje amatore të papublikuara deri tani nga zjarri në spitalin modular në Tetovë. Në këto pamje shihen momente të dy shpërthimeve gjatë djegies së objektit. Videot në fjalë tregojnë momentin e mbërritjes në vendngjarje të makinës së parë të zjarrfikësve dhe si ata pavarësisht përpjekjeve, nuk kishin asnjë mundësi kundrejt zjarrit. Problem shtesë për zjarrfikësit ishte edhe rruga e bllokuar nga disa makina.

Atë natë mund të them se kemi pasur një vështirësi më të madhe gjatë arritjes tonë në vendngjarje ku në anën e brendshme të hapësirave të Spitalit Klinik të Tetovës në afërsi të spitalit modular, kishte dy makina që na pengonin që të afroheshim sa më afër spitalit. Ndërsa në anën tjetër, anën nga shtrati i lumit, kishte të parkuara 3 makina që neve na pengonin që të afrohemi afër vendit të ngjarjes – deklaroi Uka Aliti- Komandant i Zjarrfikësve.

Njësia e zjarrfikësve në Tetovë mbulon komunën në fjalë ku ka rreth 100 mijë banorë dhe 5 komuna të tjera rurale. Nga këtu Aliti kërkon rritjen ekipit deri në 120 zjarrfikës.

Jo, nuk ka numër të mjaftueshëm, duke marrë parasysh se vetëm Tetova ka mbi 100 mijë banorë. Ndërsa Ligji i Zjarrfikësve i Maqedonisë së Veriut e thotë shumë qartë që në 1500 banorë duhet të ketë një zjarrfikës, ndërsa duke marr parasysh neve si njësi territorial mbulojmë Tetovën por edhe 5 komuna tjera rurale, që çdo komunë rurale mendoj se ka afër mbi 30 mijë banorë. Kështu që, jemi shumë pak zjarrfikës. Mund ta them edhe numrin që vetëm në Tetovë dhe që mbulojmë edhe 5 komuna tjera rurale, jemi 71 zjarrfikës. Duhet më së paku të kemi afër mbi 120 zjarrfikës – tha Uka Aliti- Komandant i Zjarrfikësve.

Puna e tyre vështirësohet edhe më shumë nga automjetet e vjetërsuara dhe numri i vogël i zjarrfikësve. Me 10 automjete zjarrfikëse të përdorura tashmë mbi 30 vjet. Kjo njësi zjarrfikësish për herë të fundit është pajisur me dy automjete në vitin 2019, në kuadër të një donacioni të bërë nja një mërgimtarë nga fshati Sllatinë.

Evi Shkopi

LEXO EDHE:

Back to top button