Aplikimi i dozës së tretë në Kosovë të nis nga viti i ardhshëm

Kosova nisi vonë procesin e imunizimit kundër koronavirusit, megjithatë nga Ministria e Shëndetësisë zotohen se do të veprojnë në kohë të duhur për aplikimin e dozës përforcuese. Edhe ekspertët shëndetësor pajtohen që aktualisht nuk është momenti që në Kosovë të nis administrimi i dozës së tretë të vaksinës pasi konsiderojnë se për të marrë dozën përforcuese, së paku duhet të kalojnë 6 muaj prej marrjes së dozës së dytë të vaksinës anti-COVID.
Tashmë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik u ka rekomanduar autoriteteve shtetërore për dhënie e dozës së tretë për grupe të caktuara. Ndërsa, si kohë optimale nga Ministria e Shëndetësisë për distribuimin e këtyre dozave ishte dhënë viti i ardhshëm.
Por në një përgjigje për KosovaPress nga ky dikaster kanë thënë se në kohën e duhur Kosova do të marrë vendimin për të nis aplikimin e dozës përforcuese.
Madje të njëjtit thonë se nuk do kenë telashe rreth dozave të nevojshme për grupet e caktuara.
“Kosova do ta marrë vendimin në kohën e duhur për aplikimin e dozës së tretë të vaksinës kundër COVID-19, meqë ka filluar më vonë me procesin e vaksinimit, ndërsa nuk pritet të ketë probleme rreth dozave, meqë MSh ka një kontratë me kompaninë Pfizer për blerje të vaksinave kundër COVID-19 dhe ekipi negociues i ka parasysh nevojat për procesin e vaksinimit. Shtetet që kanë filluar ta aplikojnë dozën e tretë, e kanë bërë këtë vetëm për kategori të caktuara të popullatës, si të moshuarit, punëtorët e kujdesit shëndetësor apo kategori me imunitet të komprometuar”, thuhej në shkresën e MSh për KosovaPress.