Ambasadori i parë i SHBA-ve iu drejtohet shqiptarëve në shqip, ka një përshëndetje për ta

Ambasadori i parë i SHBA-ve në Shqipëri William E.Ryerson i ka drejtuar një mesazh shqiptarëve me rastin e vendosjes së emrit të tij, rezidencës së ambasadorit amerikan në Shqipëri.
Mesazhi është publikuar nga ambasada e SHBA-ve me rastin e festimeve për 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve me Shqipërinë.
“Ne jemi ende duke festuar 30 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve tona me Shqipërinë dhe duam të ndajmë me ju një mesazh shumë të veçantë. Javën e kaluar, Ambasadorja Yuri Kim përkujtoi këtë moment historik të rëndësishëm për vendet tona dhe shpalli gjithashtu se rezidenca zyrtare e Ambasadorit Amerikan në Shqipëri tashmë do të njihet si “Shtëpia Ryerson”, në nder të William E. Ryerson, Ambasadorit të parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Nga Shtetet e Bashkuara, Ambasadori Ryerson dërgoi këto fjalë thjeshtësisht të fuqishme për të gjithë miqtë shqiptarë të cilët i mungojnë”, shkruan ambasada e SHBA.
Nga ana tjetër dhe pse kanë kaluar shumë vite, ambasadori Ryerson nuk e ka harruar shqipen dhe iu dërgon një përshëndetje të përzemërt në shqip qytetarëve shqiptarë.
“Zonja ambasadore faleminderit shumë për ftesën. Më vjen shumë keq që nuk mund të jem atje tek ju atje. Nuk është hera e parë që unë nuk mund të jem ku do të ishte mirë të isha. Nuk isha atje kur zyrtarët e parë amerikanë mbërritën në 1991. Nuk isha kur u kthyem në ambasadën tonë më vonë në 1991. Me sa duket e kam zakon të mungoj shpesh dhe më mungoni ju dhe të gjithë të ftuarit tuaj. Për miqtë e mi shqiptarë atje: Ju përqafoj me mall! Faleminderit, mirupafshim”, shprehet ai.