Kosova kërkon fitoren e parë, Greqia në formë

Kombëtarja e Kosovës në futboll është në kërkim të fitores së parë në Ligën C, kur përballt me Greqinë në Athinë. Për Kosovën përveç mungesave që dihen, do t’i mungojë edhe Arbër Zeneli, Valon Berisha dhe Edon Zhegrova, të cilët pretendohet se kanë pësuar lëndime në ndeshjet paraprake. Por, dilema tani mbetet se kujt do t’ia besojë Bernard Shallandes pozitën e titullarit.
Portieri Aro Muric, pavarësisht skandalit që u përfol, pritet të startojë nga fillimi. Në krahun e djathtë të mbrojtjes pritet të rikthehet si titullar Mërgim Vojvoda, kurse Florent Hadergjonaj mund të lëvizë si anësor. Në mesfushë nga minuta e parë mund të startojë edhe Florian Loshaj, bashkë me Anel Rashkaj.
Vija e sulmit mund të udhëhiqet nga Elbasan Rashani. Në shtatë ndeshjet e fundit, Greqia ka pesë fitore, një barazim dhe një humbje nga Austria. Ndërkohë, Kosova ka pësuar gjashtë humbje dhe vetëm një barazim. Pas tre takimeve të para në grup, Kosova ka vetëm një pikë, falë barazimit ndaj Moldavisë, ndërsa Greqia tubon shtatë sosh.