Skoti Pipen sërisht “sulmon” Majkëll Xhordanin

Skoti Pipen është sërisht në qendër të vëmendjes në SHBA, pasi që sërish sulmoi ish-bashkëlojtarin e tij nga Çikago Bulls, Majkëll Xhordan. Gjatë pandemisë, basketbollisti legjendar publikoi dokumentarin “The Last Dance”, ndërsa shumë nga ish-shokët e tij të skuadrës u ndjen të poshtëruar në të dhjetë episodet.
Kjo e goditi rëndë edhe Pipenin, i cili ishte “violina e dytë” gjatë dominimit të Çikagos në NBA në vitet e 90-ta.
“Ai tregoi historinë e tij. Çdo episod ishte i njëjtë. Xhordani në plan të parë, dhe shokët e tij në vendin e dytë, gjë që ishte rasti gjatë gjithë karrierës së tij. Majkëll mund të kishte gjuajtur 6/24, kishte pesë përmbysje dhe publiku vazhdoi të tregonte se ai ishte i përsosur.
Kam biseduar me shumë shokë të skuadrës që u ndjenë të poshtëruar si unë me këtë dokumentar. Si guxoi Miakëll të na trajtonte kështu pas gjithçkaje që bëmë për të dhe markën e tij të çmuar?
Për t’i bërë gjërat edhe më keq, Majkëll Xhordan mori 10 milionë dollarë për filmin, dhe shokët e mi dhe unë, nuk morëm asgjë,” tha mes tjerash Pipen për mediat në SHBA.
Pipen shtoi se Xhordani e bëri filmin për brezin e ri, që të mos e harrojnë atë që ka bërë dhe të mos e vendosin LeBron Xhejmsin në krye, kur bëhet fjalë për listën e basketbollistëve më të mirë të të gjitha kohërave.