Qeveria e Australisë sërisht pezullon vizën e tenistit serb

Qeveria e Australisë ka pezulluar sërish lejen e qëndrimit për tenistin serb Novak Xhokovi­ç, i cili duhet të lërë Australinë (serbi ka të drejtë të apelojë këtë vendim). Për pasojë, numri 1 në botë për meshkuj dhe kampioni në fuqi i “Australian Open” rrezikon të mos luajë në Grand Slam-in që nis pas tri ditësh në Melburn .

Kjo është hera e dytë që qeveria pezullon brenda pak ditësh vizën e tenistit serb (hera e parë pas arritjes në Melburn). Vendimi është marrë nga Ministria e Emigrimit (Ministri Aleks Houk), me motivacion “për motive shëndetësore dhe interesin e publikut”.

“Kam shqyrtuar me kujdes informacionet e dhëna nga z.Novak Xhokoviç në kufi dhe nga departamenti i kufirit të “Australian Border Force” pranë Ministrisë së Puneve të Brendshme. Qeveria është e vendosur të mbrojë kufijtë e Australisë, në veçanti nga pandemia Covid-19”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Xhokoviçi nuk ka kryer vaksinën anti-Covid, e detyrueshme për të hyrë në Australi dhe për të luajtur në eventet sportive që zhvillohen në këtë shtet. Ai deklaroi se kishte kaluar koronavirus pak javë më parë (ishte infektuar më 16 dhjetor), por disa probleme me dokumentacionin kanë bërë që serbi të mos lejohet të qëndrojë në Australi. Jo vetëm kaq, por ai ka shkelur rregullat e karantinës.

Djokovic ka të drejtë të apelojë këtë vendim sërish pranë gjykatës së Melburnit, ashtu sikurse pat bërë herën e parë, ku fitoi të drejtën për të hyrë në Australi. Herën e parë (më 5 janar, kur mbërriti në Australi), ai u mbajt i izoluar për 4 ditë në një hotel për emigrantë, deri në vendimin e gjykatës, në favor të tenistit.

LEXO EDHE:

Back to top button