Ukrainë, diplomacia larg zgjidhjes së konfliktit

Gazetare: Fatlume Dervishi
Përpjekjet diplomatike për të shmangur një përshkallëzim të situatës në Ukrainë deri tani nuk kanë dhënë sukses, shkruan Alsat.
Në një bisedë telefonike të shtunën që zgjati për rreth një orë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xho Bajden, i tha presidentit rus, Vladimir Putin, se pushtimi i Ukrainës nga ana e Rusisë “do të shkaktonte vuajtje të mëdha për njerëzit” dhe “do të zvogëlonte pozitën e Rusisë” në botë. Bajden përsëriti se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre do të “përgjigjeshin me vendosmëri” nëse Rusia pushton e kjo gjë do të kishte “kosto të shpejta dhe të rënda për Rusinë”.
Shteti rus ka kërkuar garanci nga NATO-ja se do të ndalojë zgjerimin drejt lindjes, përfshirë Ukrainën. SHBA-ja dhe NATO-ja kanë refuzuar kërkesat ruse, por kanë ofruar rrugë diplomatike për zgjidhjen e krizës. Sipas një komunikate të lëshuar nga Kremlini, Rusia beson se SHBA nuk ka marrë parasysh shqetësimet e Moskës, andaj ajo “do të përgjigjet së shpejti”. Rusia ka grumbulluar mbi 100,000 trupa në kufi me Ukrainën, por ka mohuar se ka plane për pushtim.
E vendeve të cilat u kanë bërë thirrje qytetarëve të tyre të lëshojnë territorin e Ukrainës nga frika e përshkallëzimit të mundshëm u është bashkuar edhe Maqedonia e Veriut. Rreth 100 shtetas të vendit për momentin janë brenda territorit të Ukrainës.
Shkupi zyrtar ka organizuar kthimin në vend të familjeve të dy diplomatëve të ambasadës së vendit në Kiev por diplomatët për momentin do të vazhdojnë të qëndrojnë atje.
Gjithashtu në detyrë në Kiev do të mbeten edhe 30 vëzhgues nga Maqedonia e Veriut në misionin special të OSBE-së për të vëzhguar situatën. Në rast se paraqitet nevoja, Ministria e Punëve të Jashtme thotë se ka përgatitur plan në koordinim me vendet aleate për evakuimin e tyre.
Për rreth 40 shtetas të tjerë të Maqedonisë së Veriut dhe rreth 30 anëtar të familjeve të tyre të cilët janë kryesisht shtetas ukrainas, ministria e Jashtme përsëriti apelin që të shfrytëzojnë fluturimet komerciale për ta lëshuar vendin.
Shtetas të Maqedonisë së Veriut në Ukrainë
2 diplomatë dhe familjet e tyre
30 anëtar të misionit vëzhgues të OSBE-së
40 shtetas të tjerë dhe 30 anëtarë të familjeve të tyre
Ministri i Jashtëm Bujar Osmani, deklaroi se përshkallëzimi eventual i situatës në Ukrainë e gjen vendin të përgatitur rreth parashikimit të pasojave ekonomike dhe të sigurisë që mund të ketë mbi vendin. Gjatë javës së ardhshme do të hartohen plane konkrete.
“Kemi kërkuar dhe jemi duke bërë analizë për pasojat ekonomike dhe financiare nga një përshkallëzim i konfliktit atje dhe eventualisht bashkëngjitja jonë në sanksionet e mundshme ndaj Rusisë dhe një veprim i njëjtë nga ana e Rusisë këtu. Javën që vjen, janë caktuar takimet edhe të shërbimeve të sigurisë por edhe të institucioneve që kanë të bëjnë me pasojat ekonomike nga një përshkallëzim i mundshëm që të mund të dalim me plane konkrete në këtë drejtim”, deklaroi Bujar Osmani, ministër i Jashtëm. /Alsat.mk