Anëtarët e grupit fetar kanë 90 ditë qëndrim të ligjshëm, nuk dihet se kur do të largohen

Ndonëse fillimisht kishin paralajmëruar se do të largoheshin nga vendi ynë pak ditë më parë, anëtarët e grupit fetar Lev Tahor, prania e të cilit shqetësoi një pjesë të opinionit, filluan të kërkojnë strehim më të lirë dhe ende nuk dihet se kur do të largohen, është shprehur në emisionin “360 gradë” në Alsat, kryetari i Komisionit për marrëdhënie me bashkësitë dhe grupet fetare, Darijan Sotirovski. Siç shton ai, të huajt kanë të drejtën e qëndrimit 90 ditor në vendin tonë.
“Sipas informacioneve që kam, ata duhej të largoheshin nga vendi ynë ditën e martë në vendkalimin për në Shqipëri. Por kjo nuk ndodhi. Plani i tyre ndryshoi. Informacionin për largimin e tyre, brenda kësaj periudhe prej 90 ditësh qëndrimi ligjor, duhet ta marrim prej tyre. Për momentin informacion të tillë të paktën unë nuk kam”, ka thënë Sotirovski.