Krerët e shtetit qëndrojnë krah Ukrainës
Krerët e shtetit qëndrojnë krah Ukrainës

Gazetar: Lluka Andreev
Krerët e shtetit qëndrojnë krah Ukrainës dhe e dënojnë njohjen nga Rusia të rajoneve të Donetskut dhe Luganskut si republika të pavarura popullore, shkruan Alsat.
Presidenti Stevo Pendarovski përsëriti mbështetjen e tij për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës.
“Një rend i bazuar në të drejtën ndërkombëtare është baza e marrëdhënieve ndërkombëtare, parimet e të cilave duhet të respektohen. Shkelja e rëndë e ligjit ndërkombëtar është kërcënim për qytetërimin”, tha Stevo Pendarovski – President.
Dekretin e presidentit rus Vladimir Putin e dënoi edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski.
“Një akt i tillë është sulm i drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe shkelje e marrëveshjeve të Minskut dhe vendimet e Këshillit të Sigurisë së OKB-së në vitin 2015. Së bashku me aleatët e NATO-s, bëjmë thirrje për zgjidhje diplomatike të konfliktit”, u shpreh Dimitar Kovaçevski- kryeministër.
Ambasadori i Maqedonisë në Ukrainë Krum Efremov për Alsat sot deklaroi se misioni ynë diplomatik në Kiev do të vazhdojë të funksionojë.
“Të gjithë diplomatët dhe të gjithë njerëzit e arsyeshëm kërkojnë qetësimin e problemeve. Situata në Kiev dhe qytetet e tjera të mëdha në Ukrainë është e qetë dhe nuk ka probleme të mëdha, por është ende pak e tensionuar pas këtyre ngjarjeve, por pres dhe shpresoj që situata do të zgjidhet në rrugë diplomatike”, theksoi Krum Efremov- ambasador në Ukrainë.
Ndryshe, qindra qytetarë tanë në Ukrainë janë paraqitur deri më tani në ambasadë. Por, deri më tani vetëm 13 persona janë larguar nga vendi.
“Ne apelojmë dhe kërkojmë nga qytetarët tanë të regjistrohen tek ne dhe, nëse është e mundur, të largohen nga Ukraina në një kohë kur ende ka fluturime komerciale, dhe në një farë mënyre funksionojnë korridoret e transportit ndërkombëtar”, tha tutje Krum Efremov – Ambasador në Ukrainë.
Ndërkohë, 30 shtetas të Maqedonisë janë punësuar si vëzhgues në kuadër të Misionit Special të Monitorimit të OSBE-së, në Ukrainë. Nga ky mision për Alsat raportojnë se vendet pjesëmarrëse mund të marrin vendimet e tyre për zhvendosjen e vëzhguesve të tyre në, ose jashtë vendit.
“Misioni i posaçëm i monitorimit vazhdon të përmbushë mandatin e tij, përfshirë edhe fushat që nuk kontrollohen nga qeveria”, thanw nga Misioni Special Monitorues i OSBE-së në Ukrainë.
Ndërkohë, 30 shtetas të Maqedonisë janë punësuar si vëzhgues në kuadër të Misionit Special të Monitorimit të OSBE-së, në Ukrainë. Nga ky mision për Alsat raportojnë se vendet pjesëmarrëse mund të marrin vendimet e tyre për zhvendosjen e vëzhguesve të tyre në, ose jashtë vendit. Qeveria në mbledhjen e saj e angazhoi Ministrinë e Jashtme të ndërmarrë masa për sigurinë e vëzhguesve tanë. /Alsat.mk