Përsëritja e zgjedhjeve lokale në Qendër Zhupë do t’i kushtojë shtetit mbi 2.8 milion denarë, gjasat janë të mëdha që të dështojnë përsëri
Përsëritja e zgjedhjeve lokale në Qendër Zhupë do t’i kushtojë shtetit mbi 2.8 milion denarë, gjasat janë të mëdha që të dështojnë përsëri

Gazetare: Fatlume Dervishi
Mbi 46 mijë euro për zgjedhjet në Qendër Zhupë, për më pak se 2 mijë votues që besohet se jetojnë akoma në këtë komunë. Këto janë mjetet e ndara nga buxheti për zgjedhjet lokale të 17 prillit, shkruan Alsat.
Prej tyre, mbi 26 mijë euro janë mjete të parapara të shfrytëzohen për reklamim të paguar politik megjithëse nga KSHZ-ja thonë se jo domosdoshmërish do të shfrytëzohen të gjitha.
“Ne si KSHZ kemi bërë plan financiar të cilin propozoj sot ta miratojmë vetëm për komunën Qendër Zhupë. Vlera është 2 milion e 855 mijë denarë. Pjesa më e madhe e mjeteve në këto zgjedhje në bazë të nenit 75gj dhe 76d, diku 1 milion 641 mijë denarë, do të shfrytëzohen për reklamim politik kurse pjesa tjetër për organizim dhe realizim të zgjedhjeve”, tha Ditmire Shehu, nënkryetare e KSHZ-së.
KSHZ-ja do të kthejë në buxhetin e shtetit mjetet e parapara për zgjedhjet në Mavrovë dhe Rostushë të cilat, edhe pse ishte paraparë të mbahen njëkohësisht me zgjedhjet në Qendër Zhupë, dështuan për shkak se kandidatët u tërhoqën.
Më 17 tetor në Qendër Zhupë votuan vetëm 1886 persona nga gjithsej 7317 të regjistruar në listën zgjedhore. Kjo d.m.th. se nuk u përmbush censusi që të votojnë të paktën 1/3 e votuesve të regjistruar në listë. Që zgjedhjet të jenë të suksesshme duhet të dalin të paktën 2439 votues. Edhe në garën e 17 prillit përballen të njëjtët kandidatë si gjashtë muaj më parë, Arijan Ibraim dhe Shain Shaqir.
Qendër Zhupë – zgjedhjet e 17 tetorit:
Gjithsej vota – 1886
Arijan Ibraim (Partia Demokratike Turke)– 1342 vota
Shain Shaqir (Lëvizja për Bashkim Kombëtar të Turqve) – 482 vota
Të pavlefshme – 62 vota
Vota të nevojshme për censusin ligjor – 2439
Qendra Zhupë nuk është komuna me më pak votues të regjistruar në vend por për shkak të migrimit, rreziku është i lartë që dështimi të përsëritet më 17 prill. Këtë ditë më parë e tha për Alsat edhe njëri nga kandidatët ose i besueshmi i qeverisë për menaxhimin e Komunës deri në zgjedhjet e reja. Ai madje kërkoi uljen e censusit ligjor.
“…Duhet të vijnë nga Italia për një votë dhe sërish ka rrezik, të njëjtat zgjedhje të jenë të (pa)suksesshme”, tha Arijan Ibrahim-Kryetar i Komunës Qendër Zhupa.
Alsat prej ditësh ka dërguar pyetje në Qeveri, cila është zgjidhja për shmangien e shpenzimeve në rastet e këtilla, gjegjësisht nëse riorganizimi territorial dhe bashkimi i komunave me më pak votues me komunat më të afërta është opsion që do të shqyrtohet. Pavarësisht këmbënguljes tonë, deri tani nuk morëm përgjigje. / Alsat.mk