Asnjë korridor humanitar nuk u hap në Ukrainë sot për shkak të kërcënimeve për sulme të reja

Asnjë korridor humanitar nuk u hap në Ukrainë sot për shkak të kërcënimeve për sulme të reja

Gazetare: Semra Musai

Ukraina nuk i hapi sot korridoret humanitare për evakuimin e civilëve. Zyrtarët e lartë të qeverisë thanë se raportet e inteligjencës alarmonin se forcat ruse mund t’i sulmojnë këto zona.

Por kryetari i qytetit port të Mariupolit bëri thirrje për evakuimin urgjent të civilëve, pas siç tha vendi është në prag të katastrofës humanitare. Vadym Bojchenko tha se 160 mijë qytetarë jena të ngujuar pa ujë dhe energji, ndërsa 26 autobusë po presin që t’i evakuojnë civilët.

Një 31 vjeçare e cila para pak ditësh kisha arritur të largohet nga Mariupoli situatën atje e përshkroi si të tmerrshme.

“Situata në Mariupol është e tmerrshme. Është një krizë humanitare. Rusët po kryejnë vrasje masive. Numri i banorëve që besohet se janë të ngujuar në vend në sipas autoriteteve zyrtare është 100 mijë deri në 200 mijë. Por unë mendoj se është afër 300 mijë”, tha Alina Beskrovna, refugjate nga Mariupoli.

Banorët e Mariupolit siç tha ajo s’kanë as ujë as ushqime.

“Ne po e shkrijmë borën që të kemi çfarë të pimë. Gatuajmë në zjarr nën granatime dhe bomba sepse nuk kemi çfarë të hamë”, theksoi Beskrovna.

Bombardimet dhe luftimet e ashpra kanë vijuar edhe në zonat e tjera të Ukrainës. Ndërkaq zëvendësministrja ukrainase e Mbrojtjes tha se forcat ruse po rigrupohen, por nuk mund të përparojnë askund. Hanna Malyar tha se forcat ruse po shkojnë në Bjellorusi, me gjasë për t’u përgatitur për përpjekje të reja për ta rrethuar Kievin. Ndërkaq, ushtria ukrainase tha se ka zmbrapsur pesë sulme ruse në rajonet lindore të vendit.

Trupat ruse gjithashtu thuhet se janë tërhequr edhe nga një qytet që e pushtuan afër centralit bërthamor të Çernobilit. Kryebashkiaku Yuri Fomichev tha se trupat kishin përfunduar punën “që kishin vendosur të bënin” dhe ishin larguar nga qyteti i Slavutych, ku banojnë punonjësit e centralit.

Një ditë më parë, shefi i Shërbimit Sekret ushtarak të Ukrainës e akuzoi Rusinë se synon ta ndajë Ukrainën në dy vende, sikurse Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut.

Sipas OKB-së rreth 1200 civilë janë vrarë që nga fillimi i luftës në Ukrainë ndërsa mbi 3,8 milionë janë larguar nga vendi. Ndërkaq sipas vlerësimit të Shkollës Ekonomike të Kievit Lufta në Ukrainë ka shkaktuar mbi 63 miliardë dollarë dëme në infrastrukturë./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button