Subvencione për vetëpunësim
Subvencione për vetëpunësim

Gazetare: Andrea Cobanova
Vetëpunësimi, subvencionimi i pagave, praktikat, punësimi i drejtpërdrejtë i personave me aftësi të kufizuar janë pjesë e masave të planit operativ për këtë vit, shkruan Alsat.
Agjencia e Punësimit nga java e ardhshme do të nisë publikimin e masave dhe shpalljeve të punës që janë pjesë e planit.
Këtë vit nga buxheti janë ndarë 30 milionë euro për realizimin e këtij plani, i cili është planifikuar të mbulojë 15 mijë të papunë.
“Ky plan operativ përmban edhe masa për hapjen e vendeve të reja të punës, siç janë masat e subvencionimit të pagave dhe punësimit të personave juridikë, përmes të cilave planifikohet të punësohen drejtpërdrejt 1790 persona. Fokusi ynë kryesor është të mundësojmë punësimin e njerëzve që janë më të vështirë për t’u futur në tregun e tutave, përfituesve të ndihmës së garantuar si dhe të rinjve”, tha Bekim Murati – Drejtor i Agjencisë për Punësim.
Këtë vit me ndihmën e UNDP-së do të zbatohen masa të reja në përputhje me agjendën e gjelbër në Ballkanin Perëndimor, tha ministrja e Punës Jovana Trençevska.
“Për herë të parë në bashkëpunim me UNDP-në po zbatojmë masë për të mbështetur krijimin e vendeve të reja të punës përmes investimeve të gjelbra. Investimet e gjelbra përfshijnë investime që mundësojnë krijimin e produkteve apo shërbimeve të gjelbra dhe reduktojnë apo eliminojnë ndikimin negativ në mjedis”, u shpreh Jovana Trençevska – Ministre e Punës për Politikë Sociale.
Vitet e fundit, programi më i kërkuar nga të papunët është masa e vetëpunësimit. Shumica e fondeve janë ndarë nga kompetentët për hapjen e biznesit të tyre, me çka planifikohet të punësohen dy mijë persona./ Alsat.mk