Mbi 39 persona kanë humbur jetën nga bombardimet në lindje të Ukrainës

Gazetar: Shkelzen Aqifi

Të paktën 39 persona kanë mbetur të vrarë në një stacion treni në lindje të Ukrainës si pasojë e një sulmi me raketë. Kompania shtetërore hekurudhore thotë se më shumë se 100 persona kanë mbetur të plagosur në stacionin e trenit në Kramatorsk.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski tha se Rusia po shkatërron në mënyrë cinike popullin ukrainas, pasi nuk ka guxim e as forcë të përballet me ushtrinë ukrainase në fushëbetejë.

“Ushtria ruse goditi terminalin hekurudhor në qytetin Kramatorsk. Njerëzit u grumbulluan, duke pritur trenat të evakuoheshin në territorin e sigurt. Ata e goditën këtë popull. Ka dëshmitarë. Ka video, ka mbetje të raketave dhe njerëz të vdekur, rreth 30 të vrarë dhe 300 të plagosur në këtë moment pikërisht aty. Përsëri, ky është vetëm terminali hekurudhor, një qytet i zakonshëm në lindje të Ukrainës. Kjo është dita e 44 e realitetit tonë”, tha Volodymyr Zelenski, President i Ukrainës.

Nga ana tjetër, Rusia ka mohuar përgjegjësinë për sulmin. Ministria ruse e mbrojtjes tha se raketa e përdorur në sulm është e ushtrisë ukrainase.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borrell, ka dënuar ashpër sulmin. “Është e tmerrshme të shohësh Rusinë të godasë një nga stacionet kryesore për evakuimin e civilëve. Kjo është një përpjekje tjetër për të bllokuar rrugët e evakuimit për ata që kërkojnë të largohen nga kjo luftë e pajustifikuar që po shkakton kaq shumë vuajtje”. Borell dhe presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Lejen kanë udhëtuar për në Kiev, për të takuar presidentin ukrainas Zelenski.

Ukraina pretendon se forcat ruse kanë kryer më shumë krime në një qytet tjetër pranë Kievit, krahasuar me atë që ndodhi në Bucha, e cila i kushtoi Rusisë përjashtimin nga Kombet e Bashkuara për të Drejtat e Njeriut. Presidenti ukrainas Zelensky pretendon se rusët gjatë tërheqjes së tyre nga Kievi kanë vrarë qindra civilë në një qytet tjetër, Borodjanka.

“Puna filloi me analizën e bllokimeve në Borodjanka. Aty është shumë më keq. Edhe më shumë viktima të pushtuesve rusë. Dhe çfarë do të ndodhë kur bota të mësojë të gjithë të vërtetën për atë që bëri ushtria ruse në Mariupol? Atje , pothuajse në çdo rrugë, është ajo që bota pa në Buça dhe qytete të tjera në rajonin e Kievit pas tërheqjes së trupave ruse. E njëjta mizori. Të njëjtat krime të tmerrshme”, u shpreh Volodymyr Zelenski, President i Ukrainës.

Organizata Ndërkombëtare për Migracionin vlerëson se më shumë se 12 milionë njerëz janë të bllokuar në zonat e sulmeve në Ukrainë. Agjencia e OKB-së për refugjatët, UNHCR, tha se më shumë se 4.3 milionë – gjysma e tyre fëmijë – janë larguar nga Ukraina që kur Rusia filloi pushtimin e saj dhe shkaktoi krizën më të madhe të refugjatëve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button