Zaharieva në vet-izolim pas takimit në Berlin

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme në Bullgari, Ekaterina Zaharieva është në vetizolim dhe po pret rezultatin e testit për Covid-19, njoftoi Ministria e Jashtme Bullgare.
Zaharieva është izoluar pasi zëvendës ministri, Petko Dojkov ka rezultuar pozitiv me Covid-19 në një test të shpejtë. Dojkov gjithashtu ka qenë pjesë e delegacionit bullgar që të hënën zhvilloi takim me delegacionin nga Maqedonia e Veriut.
Përveç Zaharieva dhe Dojkov, të gjithë anëtarët e delegacionit bullgar që ishte në Berlin janë në izolim.
Zëvendëskryeministri për Çështjet Evropiane, Nikolla Dimitrov dhe ministri i Jashtëm, Bujar Osmani kanë qenë pjesë e delegacionit maqedonas në Berlin, takim ky që u realizua me ftesë të ministrit të Jashtëm gjerman Heiko Mas dhe ministrit për Evropë, Michael Roth.
Ndërkohë nga Ministria për Punë të Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut njoftojnë se gjatë takimit të Osmanit dhe Dimitrovit me ministren e jashtme bullgare Zaharieva, organizatorët kanë marrë të gjitha masat e nevojshme dhe se pas konsultave me Komisionin për Sëmundje Infektive është konstatuar se nuk është e nevojshme që Osmani dhe Dimitrov të futen në izolim.
“Në bisedë me Komisionin për Sëmundjet Infektive, u konstatua se organizatorët i kanë marrë të gjitha masat për mbrojtje; gjatë takimeve, pjesëmarrësit përdorën të gjitha masat dhe protokollet për mbrojtje, që u konstatua se në asnjë moment nuk kishte ndonjë kontakt të rrezikshëm që do të ishte arsye për izolim”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme.