Numri “një” i Arsimit, sot i luti mësimdhënësit që ta ndërpresin grevë
Numri “një” i Arsimit, sot i luti mësimdhënësit që ta ndërpresin grevë

Gazetare: Melihate Rustemi
Punonjësit në çerdhe dhe arsim, në ditën e katërt të grevës së përgjithshme. Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri e luti Sindikatën e Arsimit dhe Shkencës që ta ndërpresë grevën dhe nxënësit të kthehen në mësim, ndërsa paralelisht të zhvillohen edhe bisedimet, shkruan Alsat.
Shaqiri ka shtuar se për momentin nuk duhet lejuar që fëmijët të mos vijojnë mësimin sepse çdo ditë e humbur është në dëm të nxënësve. Pavarësisht se tha që do të ketë rritje të pagave, Shaqiri edhe kësaj radhe nuk dha një numër ose përqindje konkrete.
“Lutja ime, si një i ri i cili ju premton zgjidhje është t’i kthejmë nxënësit në bankat shkollore, mësuesit në klasë, prindërit në punë dhe shoqërinë në binarë të shëndoshë e të sigurt në këto kohëra të turbullta”, tha Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Kryetari i Sindikatës, Jakim Nedellkov tha se letrën ose lutjen e ministrit Shaqiri do t’ua përcjell degëve të SASHK-ut të cilët do të japin përgjigjet e tyre. Gjithashtu, Nedellkov tha se presione më të mëdha ka në çerdhe ku drejtuesit e këtyre institucioneve po ushtrojnë mobing ndaj grevistëve.
“Mes tjerash që është edhe më johumane dhe jo njerëzore, grevistët në çerdhe janë mbyllur në hapësira të vogla ose zyra të vogla, nuk u lejohet që në kohë greve prej 8 orë të shkojnë në tualet kur dëshirojnë, të hanë ushqim kur dëshirojnë, të dalin në ajër të pastër. Kolegeve shtatzëna nuk u lejohet të hanë ushqim ose të dalin në ajër të pastër kur dëshirojnë, vërtet kjo është jo humane. Duhet ta njoftojmë opinionin se në këtë mënyrë nuk ndërtohet besimi dhe nuk gjendet zgjidhje për problemin që kemi”, u shpreh Jakim Nedellkov, kryetar i SASHK-ut.
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trençevska tha se çerdhet po funksionojnë normalisht ndërsa fëmijët po marrin kujdesin e duhur.
“Në 25 çerdhe nuk ka grevë. Në 50 të tjerat, diku 45 % e punonjësve janë në grevë, sipas të dhënave të djeshme, të tjerët përkujdesen për fëmijët. Thuajse të gjitha çerdhet funksionojnë normalisht, nuk ka çerdhe të mbyllur ndërsa numri i fëmijëve po rritet nga dita në ditë, respektivisht edukatoret dhe kujdestaret po i pranojnë të gjithë fëmijët që vijnë në çerdhe, që i sjellin prindërit e tyre. Gjatë ditës së djeshme është rritur për 30 % numri i fëmijëve të pranuar në çerdhe”, tha Jovana Trençevska, ministre e Punës dhe Politikës Sociale.
Qeveria deri më sot nuk ka dhënë asnjë propozim konkret për rritjen e pagave në arsim dhe kopshte ndërkohë që SASHK-u kërkon rritje prej 18. 4 %./ Alsat.mk