Osmani ka fajësuar Serbinë për bllokimin e dialogut për targat e makinave
Osmani ka fajësuar Serbinë për bllokimin e dialogut për targat e makinave

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka fajësuar Serbinë për bllokimin e dialogut për targat e makinave, pasi një ditë më parë, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, dështuan që të arrinin një marrëveshje për këtë çështje.
Bashkimi Evropian u bëri thirrje palëve që të vazhdojnë bisedimet, pasi dje ka skaduar marrëveshje e përkohshme për targat, e cila parasheh mbulimin me letra ngjitëse të simboleve shtetërore në targa.
Presidentja Osmani tha se Kosova do të mbetet palë konstruktive por jo edhe Serbia e cila sipas saj që prej vitit 2011, kur ka nisur dialogu me ndërmjetësimin e BE-së, ajo nuk ka zbatuar marrëveshjet, veçmas ato për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, gjë që, sipas Osmanit, u ka shkaktuar probleme qytetarëve dhe bizneseve.
“Ne nuk mund të marrim përgjegjësi për bllokadën që po e shkakton pala tjetër, në këtë rast pala serbe. Në ditët në vijim do të ketë akoma përpjekje. Ajo çka unë mund t’iu siguroj është që Kosova do të jetë palë konstruktive dhe Kosova do të vazhdojë të jetë palë e cila respekton parimet dhe standardet më të larta evropiane ndërkaq se si do të sillet Serbia është çështje që varet nga ta, por fatkeqësisht sjellja e tyre e deritanishme vetëm se e ka bllokuar progresin në dialog”, tha Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës./ Alsat.mk