F. Bajrami, lutje për ndërprerjen e luftërave

Gazetar: Fatlume Dervishi 

Sheshi “Skënderbej” në Tiranë është mbushur mëngjesin e sotëm nga mijëra besimtarë myslimanë për ceremoninë e faljes së namazit të Fiter Bajramit. Falja e namazit të Fiter Bajramit u bë në orën 06:20 ndërsa ceremonia filloi më herët. Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, përcolli urimet për këtë festë duke dëshiruar paqe dhe prosperitet.

“Të përkushtohemi më shumë ndaj prindërve, të moshuarve, të gjendemi pranë jetimëve, t’u japim dorën njerëzve me nevoja të veçanta, të përkujdesemi dhe të tregojmë mëshirë ndaj tyre. Nuk mund të mendohet që të ketë gëzim dhe kënaqësi Bajrami për ata që u kthejnë shpinën miqve, të afërmve, fukarenjve dhe vëllait të mbetur mënjanë”, tha Bujar Spahiu, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë

Në Xhaminë e Madhe në Prishtinë u dhanë mesazhe për paqe dhe solidarizim me të prekurit nga konfliktet në botë.

“Në këtë ditë të madhe nga ky vend, lutemi që në vatrat e krizës të ndalen luftërat e konfliktet, lutemi që në ato vende të vendoset paqja e qetësia, lutemi që të mos preken pleqtë, fëmijët të pafajshëm. Paqe e dashuri për të gjithë, e jo konflikte, urrejtje e mosdurim”, tha Naim Tërnava, Kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës

Besimtarët mbushën edhe sheshet në shumë vende të botës, në disa prej të cilave u organizua falje masive për herë të parë që prej fillimit të pandemisë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button