Inteligjencës amerikane i kërkohet që ta mbyllë gojën lidhur me Ukrainën

Ish-zyrtarë të inteligjencës amerikane po i këshillojnë pasardhësit e tyre në zyrë që ta mbyllin gojën dhe të mos mburren për rolin e tyre në sukseset ushtarake të Ukrainës.
Dy ngjarje u shfaqën në shtypin amerikan këtë javë që citonin zyrtarët amerikanë duke thënë se inteligjenca amerikane ishte e rëndësishme në shënjestrimin e gjeneralëve rusë në fushëbetejë dhe në fundosjen e luftanijes ruse Moskva në Detin e Zi, shkroi The Guardian të shtunën.
Raportimi i parë në New York Times të mërkurën për gjeneralët, u mohua pjesërisht nga Shtëpia e Bardhë e cila tha se derisa SHBA-ja ndan informacione me forcat ukrainase, nuk i ndan ato që në mënyrë specifike të kenë qëllimin e vrasjes së gjeneralëve rusë.
Një ditë më pas, NBC, NYT dhe Washington Post cituan zyrtarë që thoshin se inteligjenca e SHBA-së e ka ndihmuar Ukrainën të godiste Moskvan muajin e kaluar duke bërë që anija më e madhe ruse të fundosej.
“Pikëpamja ime personale është se kjo nuk është gjë e mençur. Jam i befasuar me shkallën e konfirmimit zyrtar të rolit të inteligjencës amerikane në fundosjen në Moskë, dhe më tepër për vrasjen e gjeneralëve”, ka thënë Paul Pillar, ish-zyrtar i CIA-s.
“Shqetësimi i madh është se ky lloj konfirmimi publik i këtij roli të madh të SHBA-së në pengesat e shkaktuara ndaj rusëve mund ta provokojë Putinin në përshkallëzim në një mënyrë që ai mund të mos e ndiejë të nevojshëm përshkallëzimin”, shtoi ai.
John Sipher, i cili shërbeu 28 vjet në shërbimin e fshehtë të CIA-s, ca nga ajo kohë në Moskë, mendon se vendimi për të ndarë detaje nga informacionet e fshehta është i gabuar për arsye të ndryshme.
Por ai nuk mendon se rrit ndjeshëm rrezikun për përshkallëzim mes Rusisë dhe NATO-s.
“Putini e kupton si luhet loja. Ai përdorë inteligjencën për të tentuar të vrasë amerikanë nëse situata është e kundërt, si bëri në Afganistan dhe vende të tjera”.
Zyrtarët evropianë e kanë bërë të qartë se agjencitë e tyre të inteligjencës nuk do ta ndiqnin SHBA-në.
“Është budallallëk. Nuk mendoj se është rrjedhje kujdesshëm e koordinuar”, tha një zyrtar.
Një zyrtar nga një shtet tjetër evropian hodhi dyshime për rolin e inteligjencës amerikane në shënjestrimin e gjeneralëve rusë nga ukrainasit, duke thënë se faktori kryesor ishte paparishikueshmëria e zyrtarëve rusë teksa ata ndiqnin doktrinën e periudhës sovjetike. Thyerja në pajisjet e sigurta të komunikimit dhe hierarkia nga lart-poshtë e ushtrisë ruse nënkuptonte se zyrtarët e lartë duhej të udhëtonin për në vijat e frontit për t’u siguruar se urdhrat e tyre po zbatoheshin dhe snajperistët ukrainas po i prisnin.
Në rastin e Moskvas, zyrtarët amerikanë u munduan të siguronin se Ukraina mori vetë vendimet për shënjestrim dhe mori informacion nga burime të shumta.
“Ne nuk jemi burimi i vetëm i inteligjencës dhe informacionit për ukrainasit. Ata marrin informacione edhe nga vendet e tjera dhe kanë kapacitet të fuqishëm të mbledhjes së inteligjencës”, tha zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby.