Fotovoltaikët, shtatë persona merren në pyetje

Fotovoltaikët, shtatë persona merren në pyetje

Gazetar: Igor Stefanovski

Prokuroria e Shkupit ka hapur hetim për shitjen e tokave EVN-së. Të dyshuar janë shtatë dy prej të cilëve janë menaxherë të Termocentraleve EVN Maqedoni – Igor Gievski dhe Miroslav Mitrovski, shkruan Alsat.

Sipas autoriteteve hetuese, ata kanë mashtruar Bordin e Drejtorëve të EVN-së për të blerë toka në rajonin e Dellçevës, në të cilat kompania ka synuar të vendos fotovoltaikë për prodhimin e energjisë elektrike nga energjia diellore.

“Qëllimisht kanë përjashtuar disa nga punonjësit të cilët për shkak të profesionalizmit të tyre ka qenë e obligueshme të përfshiheshin në procedurë, dhe disave prej punonjësve u janë dhënë urdhra dhe udhëzime të drejtpërdrejta për përgatitjen e analizave për përfitimin e investimit, futjen e të dhënave të rreme dhe fshehjen e situatës reale”, thonë nga Prokuroria.

Pas kësaj, EVN blen tokë bujqësore në Dellçevë. Disa prej tyre nuk mund të shndërrohen në toka ndërtimore dhe as nuk plotësonin kushtet që Ministria e Ekonomisë të japë të drejtën e përdorimit të primeve për energjinë elektrike nga fotovoltaikët.

“Sipas vendimeve të Këshillit Mbikëqyrës dhe Këshillit Drejtues të personit juridik, parcelat janë blerë pikërisht për këtë qëllim”, u shprehën nga Prokuroria.

Por që kjo të ndodhë kanë qenë të përfshirë pesë të dyshuarit e tjerë. Njëri ka koordinuar menaxherët në EVN, katër të tjerët paraqiten në rolin e blerësve të parcelave të cilat më vonë EVN-ja i ka blerë prej tyre.

Siç ka raportuar më parë Alsat, nga 30 fshatarë janë blerë gjithsej rreth 150 mijë m2 për vetëm 20 mijë euro. Por më pas të njëjtat parcela i janë shitur EVN-së për mbi 1.5 milionë euro./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button