Bërnjarc, s’ka zgjidhje për shkollën

Gazetar: Melihate Rustemi
Fëmijët e fshatit Bërnjarcë të Komunës Gazi Babë edhe këtë vit shkollor po e përfundojnë me problemet e vjetra. Duke u detyruar të bëjnë rrugë në këmbë mbi 3 kilometra për të mësuar në shkollat e Haraçinës pavarësisht se në fshatin ku banojnë ka shkollë fillore dhe e njejta është me shumë pak nxënës. Këshilli i prindërve shpreson që ky problem I kahmotshëm të mbyllet ndërsa në vitin e ri shkollor 2022-23 në shkollën e fshatit Bërnjarcë mësimin ta fillojnë, të paktën nxënësit e klasës së parë, shkruan Alsat.
“Besoj se kësaj radhe viti shkollor do të vijoj në shkollën e shumë kërkuar të Bërnjarcës. Kemi arrit diku pothuajse 80 ose 85 % kryerja e punëve. Filimisht bëhet vetëm për klasën e parë për shkak se objekti i shkollës nuk i përmbush kushtet për më shumë përderisa Ministria e Arsimit ta zgjëroj apo të bëj ndonjë punë më të madhe te ajo shkollë”, tha Ekrem Saliu, këshilli i prindërve
Nga Komuna e Haraçinë dhe ajo e Gazi Babës thanë se po punojnë për zgjidhjen e kësaj çështje por se akoma nuk ka një vendim konkret. Alsat kërkoi qëndrim edhe nga Ministria e Arsimit. Drejtuesi i saj, Jeton Shaqiri tha se dikasteri I tij duhet të sigurojë kushte për mësim për të gjith fëmijët por duke respektuar procedurat ligjore.
“Në të njejtën kohë dimë që në këtë analizë të cilën e bën ministria duhet të përfshihen edhe të dhënat duke respektuar edhe ligjin për kërkesat të cilat duhet respektuar për arsimin fillor, Në rastin konkret, besoj që me vullnet të mirë që nga ana e ministrisë ekziston, me vullnet të mirë nga ana e prindërve dhe bashkëpunim, me vullnet të mirë edhe nga komuna e Gazi Babës besoj që do të gjejmë zgjidhje duke u përshtatur edhe në respektimin e kërkesave të cilat duhet t’i bëjnë prindërit, t’i dorëzojnë në Komunën e Gazi Babës të aprovohen nga këshilli komunal dhe pastaj do të vij kërkesa në ministri”, tha Jeton Shaqiri, ministër I Arsimit dhe Shkencës
Për shkak të mungesë së paraleleve shqipe në fshatin Bërnjarcë, mbi 70 nxënës të këtij fshati nga klasa e parë e deri në atë të nëntë detyrohen që mësimet ti ndjekin në shkollat e Haraçinës. Në shkollën periferike “Kërste Misirkov” në fshatin Bërnjarcë mësojnë pak nxënës në paralelet në gjuhën maqedonase. Pas përfundimit të mësimit të këtyre nxënësve shkolla mbyllet. /Alsat.mk