Përfundoi viti shkollor për mijëra nxënës

Përfundoi viti shkollor për mijëra nxënës

Gazetare: Melihate Rustemi

Rreth 255 mijë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme përfunduan vitin shkollor që u karakterizua me sfida të shumta, protesta e bojkot të mësimit.

Gjysmë vjetori i dytë nisi me 10 ditë vonesë për shkak të gjendjes me Covid 19. Në muajin prill gjithashtu u humbën 12 ditë pune për shkak të grevës së mësimdhënësve në shkolla dhe çerdhe. Megjithatë nxënësit ndjehen të lumtur që u liruan nga obligimet e shkollës.

Ata dorëzuan edhe librat, pavarësisht se shumë prej tyre ishin gjysmë libra, të shkarravitura e të grisura. Alsat qëndroi me nxënësit e klasës së tretë të shkollës fillore “Vasill Gllavinov” të cilët në vitin e ardhshëm shkollor do të mësojnë me libra dixhital si pjesë e reformave të reja mësimore.

“Kam dëshirë të mësoj edhe me libra dixhtal por edhe me libra letre sepse kur nuk kemi internet nuk mund të mësoj”, u shpreh një nxënëse.

“Me libra të letrës është më lehtë për ne dhe mund të mësojmë më shpejt”, tha një nxënëse.

Gjithashtu, nxënësit dhe mësimdhënësit thonë se u realizua i gjithë plan programi i procesit mësimore edhe pse i njëjti u ndërpre për shkak të grevës në arsim dhe kopshte.

“Për shkak të grevës kemi qenë për disa ditë në shtëpi por përsëri me mësuesen kemi arritur t’i mësojmë të gjitha mësimet”, u shpreh një nxënëse.

“Procesi mësimor është realizuar me të gjitha njësitë mësimore, jemi munduar që ti organizojmë të gjitha njësitë mësimore dhe besoj që ka qenë një vit i suksesshëm. Unë e mbaroj klasën e tretë, kemi qenë me libra të zakonshëm. Prej klasës së katërt jemi me konceptin e dhe do të duhet të punojmë me libra dixhital. Dixhitalizimi është në rregull por besoj që kur ta kenë edhe librin përpara do të jetë edhe më lehtë për ta organizuar orën mësimore, edhe për nxënësit edhe për të mësuar edhe për gjithçka tjetër”, deklaroi Lule Mjaku, mësimdhënëse.

Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri tha se deri më 1 shtator, të gjitha shkollat do të furnizohen me tekste të reja shkollore, varësisht numrit që paraprakisht kanë dorëzuar te shërbimet pedagogjike të arsimit.

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button