Temperaturat e larta, qytetarët: Nuk mund t’i ndalim punët
Temperaturat e larta, qytetarët: Nuk mund t’i ndalim punët

Gazetare: Melihate Rustemi
Mbi 30 vullnetarë të Kryqit të Kuq shpërndanë ujë për qytetarët të cilët në temperaturat përvëluese kishin dalë për të kryer obligimet e tyre. Siç thanë nga ky institucion ekipet lëvizëse do të jenë të teren nga ora 11 deri në 16, duke përfshirë të gjitha pjesët e Shkupit.
“Ky aksion është tashmë në ditën e katërt, do të vazhdoj deri ditën e enjte të javës tjetër. Deri tash janë shpërndarë mbi 4.500 shishe ujë. Janë 30 vullnetarë të cilët janë në dispozicion të Kryqit të Kuq edhe do të jenë në teren kur është e nevojshme për këtë aktivitet që po flasim tash. Ekipet do të jenë në lëvizje, do të jenë prezentë nga ora 11 deri në ora 16, është periudhë që është më e nxehtë, më pak e frekuentueshme po është edhe më e rrezikshme, për këtë arsye është paraparë që ekipet të jenë në teren në atë periudhë”, deklaroi Argjend Qilafi, Kryqi i Kuq.
Qytetarët thonë se këtyre ditëve do të konsumojnë më shumë ujë dhe ushqime më të lehta ndërsa jashtë do të dalin vetëm nëse e kanë të patjetërsueshme.
“Po mbijetojmë, me ujë në dorë. Ishim në klinikë. Në shtëpi do të freskohemi me kondicioner, do I mbyllim të gjitha, nuk do të dailim aspak, çfarë të them tjetër”.
“Vështirë, shumë nxeht, po fshihemi, të konsumojmë sa më shumë lëngje, kjo është. E organizoj ditën, dal vetëm kur është e domosdoshme. Tash po kthehem nga kontrolli, bashkë me vajzën, patjetër e kisha, por duhet të kemi kujdes”.
“Nuk është tragjike, jam në shtëpi, pensioniste. Për ne nuk është vështirë por kur del jashtë është nxehtë. Më pak ushqime të rënda, më shumë fruta dhe sallatë”.
“Do të qëndrojmë në shtëpi, do të konsumojmë më shumë ujë. Sheqerin sot e kisha të lartë, nuk do të ha asgjë, përveç domateve dhe trangujve. Ujë deri në 2 ose 3 litër”.
Në katër ditët e ardhshme Maqedonia do të përfshihet në fazën portokalli për shkak të temperaturave të larta që pritet të arrijnë deri në 42 gradë celsius./Alsat.mk