Një ditë pas marrëveshjes sulmohet Odesa

Një ditë pas marrëveshjes sulmohet Odesa

Një ditë pas firmosjes së marrëveshjes midis Kievit dhe Moskës për të lejuar rifillimin e eksporteve të grurit, shpërthimet kanë tronditur një port kyç të Ukrainës.

Disa sulme tronditën qytetin perëndimor të Odesas. Sipas kushteve të marrëveshjes të së premtes, Rusia ra dakord të mos sulmonte portet gjatë dërgesave të grurit. Oleksiy Honcharenko, një deputet lokal, tha se kishte pasur gjashtë shpërthime në qytet dhe se porti ishte përfshirë nga flakët. “Këta të poshtër nënshkruajnë kontrata me njërën dorë dhe me tjetrën drejtojnë raketat”, tha ai.

Ndërkohë të paktën tre persona u vranë pas goditjes së 13 raketave ruse në një fushë ajrore ushtarake dhe infrastrukturë hekurudhore në rajonin qendror të Ukrainës, Kirohovrad, tha guvernatori rajonal. Rajoni ishte shënjestruar nga tetë raketa lundrimi Kalibr të shkrepura nga deti dhe pesë raketa me rreze të gjatë Kh-22 të shkrepura nga avioni. Një lagje ka mbetur pa energji elektrike.

Punonjësit e shpëtimit po punonin në zonat e prekura. Luftimet e ashpra janë zhvilluar në 48 orët e fundit në provincën jugore Kherson, ku trupat ukrainase vazhduan ofensivën e tyre kundër forcave ruse, tha inteligjenca ushtarake britanike më 23 korrik. “Linjat e furnizimit të forcave ruse në perëndim të lumit janë gjithnjë e më të rrezikuara”, tha Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar.

Ndërkohë Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar një ndihmë ushtarake prej 270 milionë dollarësh për Ukrainën, duke përfshirë katër sisteme të tjera raketash Artilerie me Lëvizshmëri të Lartë, duke e çuar numrin e tyre të dërguara në Ukrainë në 20. Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby tha se Rusia “ka nisur sulme vdekjeprurëse në të gjithë vendin, duke goditur qendrat tregtare, ndërtesat e banimit, duke vrarë civilë të pafajshëm ukrainas”. Ai tha se përballë këtyre “mizorive”, presidenti i SHBA-së, Joe Biden “e ka bërë të qartë se ne do të vazhdojmë të mbështesim qeverinë e Ukrainës dhe popullin e saj për aq kohë sa të duhet”.

Ukraina ka thënë se HIMARS-et e dërguara deri më tani kanë bërë një ndryshim të madh për trupat ukrainase në kundërshtimin e forcave ruse. Sistemet mund të godasin me saktësi objektivat deri në 80 kilometra larg. Kirby tha se ndihma e re do të përfshijë gjithashtu 500 dronë portativë që shpërthejnë në objektivat e tyre dhe 36,000 fishekë municione artilerie.

LEXO EDHE:

Back to top button