Tërmetet, vazhdojnë kërkimet për të mbijetuarit

Tërmetet, vazhdojnë kërkimet për të mbijetuarit

Gazetare: Evi Shkopi

Edhe pas më shumë se 128 orësh nga tërmetet shkatërruese në Turqi dhe Siri, jeta po triumfon ndaj maleve me rrënoja që kanë shkaktuar dridhjet e tokës. Në një tragjedi kaq të madhe ku numri i viktimave vazhdimisht po rritet, çdo shpëtim jete pritet me duartrokitje dhe brohoritje. Emine Murat nga Adanaja, 9 vjeçarit Ridban nga Kahramanmaras, Kamil Gan Agdas janë vetëm disa nga të shpëtuarit e orëve të fundit, të cilëve jeta u ka dhënë edhe një tjetër mundësi edhe pse fatkeqësisht  katastrofa natyrore u ka marrë disa nga më të dashurit.

Jo të gjithë heronjtë mbajnë veshur pelerinë dhe qindra prej tyre po i shohim çdo ditë që bëjnë përpjekje të pandërprera për të shpëtuar jetë njerëzit, apo për të nxjerrë nga rrënojat trupat e viktimave. Ekipet e shpëtimit  nga e gjithë bota rrezikojnë jetën e tyre duke hyrë nën rrënoja për të shpëtuar ata që janë nën gërmadha. Gjatë orëve të fundit histori frymëzuese janë plasuar nëpër mediat ndërkombëtare.

“Ne kemi nxjerrë një fëmijë.
-Sa vjeç?
-Ai është nëntë vjeç”, tha një anëtarë i forcave të mbrojtjes të Izraelit

Ne ekipet e shpëtimit janë edhe dhjetëra putroshë të cilët u japin një ndihmë të jashtëzakonshme zjarrfikësve për të gjetur vendndodhjen e të mbijetuarve.

Të tjera ekipe po merren me trajtimin e mbi 80 mijë të plagosurve. “ Mirë se erdhe” përshëndet një shtetas turk ekipin special  të Indisë për trajtimin e të plagosurve nga tërmeti.

“I varrosa të gjithë ata që humba, pastaj erdha këtu. Çfarë mund të bëj? Ka shumë vdekje. Vajza ime ka vdekur, vëllai im ka vdekur, tezja ime dhe vajza e saj, nusja e djalit e tezes ka vdekur me një fëmijë tetë muajsh e gjysmë në bark”, tha Sukru Canbulat- i mbijetuar.

Miliona persona kanë mbetur të pastrehë, si në Siri ashtu edhe në Turqi. Mijëra njerëz u strehuan në një stadium në qytetin sirian të Latakias.

“Tani, ne kemi rreth 400 deri në 450 familje këtu, që është e barabartë me 2,000 njerëz. Ne mbikëqyrim dhe kontrollojmë se çfarë kanë nevojë për ushqim, pije, dyshekë, ilaçe dhe madje sigurojmë mjekë. Ne përpiqemi të mbulojmë të gjitha rastet e mundshme. Ne përpiqemi t’u ofrojmë gjithçka që ata kanë nevojë”, u shpreh  Ula Nahla – mbikëqyrëse e Fondacionit Bamirës Al Areen.

Vullnetarët në Egjipt mbushën kuti me donacione që do të dërgoheshin në Siri për njerëzit e prekur nga tërmetet shkatërruese që goditën rajonin në fillim të javës. Artikujt përfshijnë furnizime ushqimore thelbësore, batanije, rroba dhe qumësht për fëmijë. Diçka të tillë po bëjnë shoqata humanitare dhe vullnetarë në shumë shtete të cilët janë organizuar për të mbledhur ndihma për popullin turk dhe atë sirian. Së fundmi alarmohet se pas tërmetit në Turqi kanë filluar plaçkitjet nëpër markete.

LEXO EDHE:

Back to top button