Në Prishtinë u mbajt “Marshi për drejtësi”

Në Prishtinë u mbajt “Marshi për drejtësi”

Mijëra qytetarë morën pjesë në “Marshin për drejtësi” në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, të cilët ndodhën në paraburgim në Hagë. Ideatorët e platformës “Liria ka Emër” thanë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është vlera më sublime që ka krijuar kombi, ndërsa marshi është ndryshimit të historisë.

 “UÇK na bashkon. Të gjithëve. Pa dallim. Thirrja për drejtësi na bashkon. E unë jam e bindur se ky shesh do të buçojë sërish, në ditën e kthimit të luftëtarëve tanë, deklaroi Eliza Hoxha, “Liria Ka Emër.”

 “Jam sot bashkë me ju për të kërkuar drejtësi për të kaluarën tonë të dhimbshme, jam sot këtu për të kërkuar drejtësi për luftëtarët e lirisë, jam sot me ju për të kërkuar drejtësi për të ardhmen. Familja ime dhe Krusha, martirë, ende kërkojnë drejtësi edhe 24 vite pas luftës. Bashkëshorti im sikurse qindra baballarë ende është i pagjetur. Në vend të kërkim faljes që e shkatërruan dhe rrënuan këtë vend, nesër dalin para gjykatës çlirimtarët e Kosovës,” tha Fahrije Hoti, Simbol i Grave të Krushës

Në marshin masiv në Prishtinë morën pjesë edhe qytetarë të shumtë nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së ka hasur në kundërshtime të shumta në Kosovë, mbi bazat se ky proces është i njëanshëm, pasi që në të nuk përfshihen krimet e kryera nga serbët në territorin e Kosovës. Përveç partive opozitare, edhe partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e ka mbështetur këtë nismë.  Të hënën, më 3 prill do të nisë gjyqi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, në Dhomat e Specializuara në Hagë. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat thuhet se janë kryer kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999. Ata janë deklaruar të pafajshëm për këto akuza. /alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button