Kontroll i jashtëzakonshëm në Spitalin e Manastirit pas vdekjes së foshnjës së sapolindur
Kontroll i jashtëzakonshëm në Spitalin e Manastirit pas vdekjes së foshnjës së sapolindur

Gazetare: Vjollca Aliti
Drejtori i Spitalit të Manastirit ka dorëzuar dorëheqjen e tij në ministrinë e Shëndetësisë pas vdekjes së foshnjës së porsalindur në repartin gjinekologjik. Foshnja ndërroi jetë disa orë pas lindjes në repartin e gjinekologjisë në Manastir. Sipas mjekëve foshnja ka lindur në gjendje të rëndë shëndetësore, me rrahje të rralla të zemrës ndërsa përpjekjet e mjekëve për reanimacion kanë qenë të pasuksesshme. Trupi i foshnjës së porsalindur është dërguar për obduksion me qëllim që të mësohen shkaqet e vdekjes. Ndërkohë Inspektorati Sanitar Shëndetësor nga mëngjesi është duke kryer inspektim të jashtëzakonshëm në Spitalin e Manastirit.
“Inspektorati Shtetëror Sanitar Shëndetësor është duke kryer inspektim të jashtëzakonshëm në Spitalin e Manastirit. Komisioni ka dalë në terren dhe po mbikëqyr përcaktimin e rrjedhës së trajtimit të foshnjës së vdekur. Njëkohësisht është formuar Komision ekspertësh për mbikëqyrje, i përbërë nga dy mjekë specialist gjinekologë, një neonatalog, një anesteziolog si dhe një përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë”, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.
Kjo është ngjarja e dytë me fatalitet e cila brenda pak javësh ndodhi në Spitalin e Manastirit. Javë më parë në Repartin pediatrik të këtij Spitali ndërroi jetë 6 vjeçarja Jana, pas marrjes së një infuzioni, ndërsa prindërit e vogëlushes hodhën dyshime për gabim mjekësor. Edhe për këtë rast po kryhen hetime ndërsa raporti i obduksionit ende nuk është gati. Ministri i Shëndetësisë deklaroi se nëse konstatohen lëshime gjatë mjekimit të Janës, atëherë do ketë edhe përgjegjësi. Për rastin e 6 vjeçares janë paralajmëruar protesta për nesër./Alsat.mk