Luftime të ashpra në lindje të Ukrainës, raportohet për civilë të vrarë në Luhansk

Luftime të ashpra në lindje të Ukrainës, raportohet për civilë të vrarë në Luhansk

Forcat ruse kanë përdorur aviacionin operacional-taktik dhe sulmues në përpjekje për të përparuar në qytetet e Limanit, Bahmutit, Avdijivkës dhe Marjinkës në Donjeck, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase. Gjatë 24 orëve të fundit, ushtria ukrainase ka zmbrapsur mbi 70 sulme të armikut në Bahmut dhe Marjinka, që vazhdojnë të jenë epiqendra të armiqësive, tha ushtria ukrainase.

Beteja disamujore për Bahmutin është shndërruar në një prej betejave më të përgjakshme të pushtimit rus të Ukrainës, ku të dyja palët raportohet se kanë pësuar humbje të mëdha. Në rajonin fqinj të Luhanskut, granatimet ruse kanë vrarë të paktën tre persona dhe kanë plagosur një tjetër në fshatin Novojehorivka. Presidenti ukrainas Volodomyr Zelenski tha se vonesat për të furnizuar vendin e tij me më shumë armë, po i kushtojnë jetë njerëzish.

Ndërkaq, Kremlini njoftoi se presidenti rus, Vladimir Putin, ka vizituar selitë ushtarake në rajonet e Hersonit dhe Luhanskut, që janë pjesërisht nën kontrollin rus. Kremlini, po ashtu, ka publikuar pamje, që supozohet se shfaqin Putinin duke pranuar raportime nga komandantët ushtarakë në pjesët e kontrolluara nga Rusia në Herson, para se të udhëtonte me helikopterë në selitë e Gardës Kombëtare ruse në rajonin e Luhanskut. Në shtatorin e vitit të kaluar, Rusia njoftoi për aneksimin e rajoneve ukrainase të Hersonit, Luhanskut, Donjeckut dhe Zaporizhjës, që Moska i ka pjesërisht nën kontroll, vendim që është refuzuar nga shumica e botës dhe është cilësuar joligjor. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button