Incident në sfidën Trepça-Vushtrria, 6 persona me trajtim mjekësor

Ndeshja e xhiros së parafundit në Superligën e Kosovës në hendboll në mes Vushtrrisë dhe Trepçës u përcoll me incidente. Ndeshja u ndërpre në minutën e 35′, për shkak që lojtarët e dy klubeve filluan të përleshen me njëri-tjetrin.
Pas atij incidenti Policia e Kosovës zbrazi palestrën e Vushtrrisë, por ndeshja nuk u zhvillua. Sipas njoftimit të fundit të Policisë, gjashtë lojtarë kanë pranuar trajtim mjekësor pas rrahjes masive.
“Raportohet se gjatë një ndeshje sportive ka ardhur deri te përleshja në mes të disa personave, përveç kësaj disa persona të tjerë kanë hedhur gjësende në drejtim të tyre. Si pasojë, gjashtë persona janë trajtuar në spital. Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për procedura të mëtejme”, thuhej në raportin policor.
Kujtojmë që pas asaj ngjarje të shëmtuar reagoi edhe Federata e Hendbollit e Kosovës dhe presidenti i tyre, Eugen Saraçini./Lajmi/