Mediat britanike “gozhdojnë” Gjokoviçin për deklaratën e tij

Tenisti nacionalist serb, Novak Gjokoviq është bërë kryelajm për të keq edhe në mediat kryesore ndërkombëtare për shkak të deklaratave dhe veprimeve të tij skandaloze për Kosovën. Gjokoviq fitoi në raundin e parë të Grand Slamit të Roland Garros kundër tenistit amerikan me origjinë serbe, Aleksandar Kovaçeviq me rezultat 6:3, 6:2, 7:6.
Nacionalisti serb pas fitores së tij iu drejtua kamerës duke shkruar disa fjalë skandaloze. “Kosova është Serbi. Stop dhunës” – ka shkruar në mënyrë skandaloze Gjokoviq në kamerë.
Këto veprime skandaloze të sportistit serb kanë bërë bujë edhe në mediat më të mëdha ndërkombëtare. “The Guardian”, “DailyMail” e “Sky Sports” i kanë kushtuar artikull skandaleve të Gjokoviqit duke e “gozhduar” atë, madje duke e quajtur edhe nacionalist dhe një anti-kosovar.
“Novak Gjokoviq ka ndezur një grindje të mundshme politike pasi shkroi frazën “Kosova është zemra e Serbisë”, ndërsa bëri thirrje për paqe pas fitores së tij” – shkroi “The Guardian”.
“Serbi Novak Gjokoviq ndez debatin politik duke shkruar mesazh nacionalist dhe anti-kosovar në kamerën televizive” – thuhet në titullin e artikullit të “DailyMail”.
“Novak Gjokoviq dërgon mesazh politik për Kosovën në French Open pas shpërthimit të dhunës” – ka raportuar “Sky Sports”.
Këto deklarata dhe veprime të Gjokoviqit vijnë vetëm pak ditë pasi bashkëkombasit e tij, nacionalistët dhe huliganët serbë që jetojnë në veri të Kosovës janë përleshur me pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe ata të KFOR-it./Lajmi/