Parashikimet e motit, e gjithë java me reshje shiu

Parashikimet e motit, e gjithë java me reshje shiu

Gazetare: Vjollca Aliti

E gjithë java e ardhshme pritet të jetë me temperature të larta ditore deri në 27 gradë celsius ndërsa pasdite në shumë zona të vendit të ketë reshje të shiut. Parashikimet e Entit Hidrometeorologjik flasin për stuhi në disa zona të Maqedonisë, ndërkaq sipas parashikimeve pritet të ketë dhe bubullima si dhe reshje të dendura që do zgjasin pak.

“Zona jonë është nën ndikimin e masës së lagësht dhe jo stabile kështu që edhe gjatë javës së ardhshme do kemi mot të tillë, në disa zona do ketë mot jo stabil me reshje, erë të fuqishme dhe bubullima. Do ketë dhe procese intensive në disa lokalitete si në formën e stuhisë , posaçërisht ditën e nesërme priten reshje të fuqishme që do zgjasin shkurt në deri mbi 20 litra në metër katror. Sa i përket temperaturave, do ketë një ulje prej 2-3 gradësh për dallim nga temperaturat e sotme dhe do lëvizin nga 21-27 gradë celsius”, deklaroi Juliana Fidanoska – Mishkoska, Enti për Hidrometeorologji.

Sinoptikanët thonë se muaji qershor do të jetë muaji më i nxehtë i kësaj vere, përkatësisht me temperatura mbi mesataren krahasuar me vitet e kaluara.

“ Sipas qendrave evropiane, me shumë gjasa këtë verë do kemi temperatura ditore mbi mesataren dhe pritet që në rajonin juglindor ku bën pjesë dhe Maqedonia e Veriut muaji qershor të jetë mbi temperaturat mesatare, krahasuar me mesataren e viteve të kaluara madje dhe deri në tre gradë celsius më shumë. Sa i përket reshjeve, këtë vit do të jenë në kufirin e mesatares, nuk do t’i kalojnë mesataret e viteve të shkuara”, tha Juliana Fidanoska – Mishkoska, Enti për Hidrometeorologji.

  Ndërkohë mjekët rekomandojnë që në këto ditë kur temperaturat ditore janë të larta, qytetarët të mos ekspozohen pa nevojë në diell, ndërsa nëse daljen e kanë të patjetërsueshme të mos qëndrojnë shumë gjatë në diell pasi kolapset janë të shumta. Mjekët po ashtu rekomandojnë që të konsumohen sa më shumë lëngje, ushqime të freskëta, fruta- perime stinore. /alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button