Urim special nga aktorja me famë botërore për Pep Guardiola-n

Aktorja me famë botërore, Xhulia Roberts, ka uruar trajnerin spanjoll, Pep Guardiola, dhe Man. Sitin për fitoren në finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Interit.
“Urime Pep Guardiolës që udhëhoqi ekipin tuaj për të qenë kampion i Ligës së Kampionëve,” publikoi Xhulia Roberts, duke ndarë postimin me më shumë se 11 milionë ndjekësit e saj në “Instagram”.
Urimi i aktores së njohur hollivudiane ka marrë mbi 90 mijë “like” në vetëm pak orë. Pep Guardiola bëri një deklaratë kurioze, që u bë virale, pasi Man. Siti eliminoi RB Leipzig për t’u kualifikuar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
“Unë jam një dështim në Ligën e Kampionëve. Nëse e fitoj Ligën e Kampionëve tri herë radhazi, do të jem sërish një dështim.”
Trajneri spanjoll i Siti-t duhej të shpjegonte teorinë pse kishte përmendur aktoren.
“Kam tre idhuj në jetën time, Majkëll Xhordan, Tajgër Uds dhe Xhulia Roberts. Ajo erdhi në Mançester disa vite më parë (në 2017), jo ne vitet ‘90 kur Sir Aleks Ferguson po fitonte trofe vit pas viti. Ajo erdhi në periudhën kur ne ishim më mirë se Junajtedi dhe prapëseprapë shkoi te Man. Juanjtedi.
Edhe nëse fitoj Ligën e Kampionëve, nuk do të krahasohet me faktin që Xhulia Roberts erdhi në Mançester dhe nuk erdhi të na shoh,” ka shpjeguar Guardiola.