Magdeburgu, “mbret” i ri i Ligës së Kampionëve në hendboll

Magdeburgu është fitues i Ligës së Kampionëve në hendboll. Në finalen shumë dramatike, skuadra gjermane e mposhti Kielcen e Polonisë me rezultat 30-29. Ndeshja finale është vendosur pas vazhdimeve, pasi koha e rregullt përfundoi 26-26.

Për Magdeburgun është titulli i katërt evropian dhe të fundi e kishte fituar në vitin 2002, ndërsa Kielce është mposhtur për herë të dytë rresht në finale.

Skuadra gjermane nisi më mirë ndeshjen, por më pas Kielce kaloi para. Pjesën e parë skuadra polake e fitoi 15-13. Polakët ishin në epërsi deri në minutën e 53-të, kur rezultati u barazua 22-22. Më pas u luajt ndeshje e barabartë dhe pas 60 minutave rezultati 26-26. Në vazhdime gjermanët ishin më të qetë, ndërsa ndeshja ishte e hapur deri në fund. Holandezi Kaj Smits shënoi tetë gola, kurse nga gjashtë i kishin Gisli Kristjansson dhe Michael Damgard. Kielces nuk i mjaftuan 15 pritjet e Andreas Volf. Aleks Dujshebaev i shënoi tetë gola. Për vend të tretë, Barcelona fitoi ndaj Paris Sen Zhermainit me rezultat 37-31.

LEXO EDHE:

Back to top button