Tërheqja e kandidatëve për rektor të UT-së, nuk ja prishin rehatinë ministrit Shaqiri

Tërheqja e kandidatëve për rektor të UT-së, nuk ja prishin rehatinë ministrit Shaqiri

Gazetar: Ardit Ramadani

Vizitat e ish-rektorit Vullnet Ameti nëpër fakultete për t’ju treguar profesorëve për kënd të votojnë, presionet ndaj profesorëve dhe familjarëve të tyre si dhe tërheqja nga gara për Rektor të Universitetit të Tetovës të tre kandidatëve Bashkim Ziberi, Myqereme Rusi dhe Dervish Alimi nuk ia prishin fare rehatinë ministrit të Arsimit, Jeton Shaqiri edhe pse ligji e obligon të ndërmarrë masa. Kështu thellohen edhe më shumë shkeljet ligjore e statutare të këtij procesi dhe ndikon në minimumin e demokracisë brenda universitetit më të madh shqiptar në vend.

“Ndikim dhe presion tek stafi akademik, tek personat, votimi nuk është i hapur, votimi është i fshehtë, besoj që nëse kemi mbërritur si shoqëri që të vlerësojmë presione edhe tek niveli më i lartë akademik, profesorët universitar, që të pranojnë një presion në fushatë, proces zgjedhje, unë do ta kisha diskutuar si fenomen shoqëror, sepse votimi nuk është i hapur, është i fshehtë,” deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri.

Përkundër që ministri thotë se s’ka kompetenca për të vepruar, nenet 203 dhe 204 të Ligjit për Arsim të Lartë e obligon atë që të ndërmerr masa.

“Kur ministri kompetent për punët e arsimit të lartë përcakton që institucioni i arsimit të lartë ka marrë vendim që nuk është në përputhje me këtë ligj, do t’i sugjeroj institucionit të arsimit të lartë për paligjshmërinë e vendimit dhe do të përcaktojë afat për mënjanimin e paligjshmërisë, i cili nuk mund të jetë më i shkurtër se një muaj,” thuhet në ligjin për Arsim të Lartë neni 203.

“Nëse akti i përgjithshëm i institucionit të arsimit të lartë nuk është në pajtim me Kushtetutë ose me ligj, ministri kompetent për punët e arsimit të lartë ka të drejtë të ndërpresë realizimin e tyre..”, thuhet në ligji për Arsim të Lartë neni 204.

Ish-inspektori për Arsim, Gjorgji Ilievski për ALSAT tha se mbajtja e zgjedhjeve në kushte të presionit, shantazheve dhe shkeljeve ligjore në një universitet është e palejueshme, thotë se ministri Shaqiri duhet të reagojë sa më shpejtë.

“Këto gjëra janë të palejueshme, është një akt i pacivilizuar akademik, i cili s’duhet të bëhet. Në këtë rast, nëse jemi shtet normal duhet ministria e Arsimit dhe Shkencës, ministri Jeton Shaqiri, pa marrë parasysh se vjen nga BDI-ja, që edhe kandidati që tani po e shtyjnë është njëjtë nga BDI-ja, duhet të intervenojë bazuar në këto situata që ndodhin dhe duhet të stopohen, gjithashtu Inspektorati i Arsimit s’duhet të qëndrojnë të tërhequr”, u shpreh Gjorgji Ilievski, ish-inspektor për Arsim.  

Me veten për postin e të parit të Universitetit të Tetovës sot u “përball” kandidati i përfolur si i BDI-së, Jusuf Zejneli. /alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button