Ndryshimet kushtetuese, Bullgaria në pritje

Ndryshimet kushtetuese, Bullgaria në pritje

Gazetare: Fatlume Dervishi

Eurodeputeti bullgar, raportues për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Ilhan Kuçuk, ka informacione se vendi do të procedojë me ndryshimet kushtetuese në qeveri dhe në Kuvend gjatë këtyre dy javëve. Këtë ai e konfirmoi për median bullgare BTV.

“Këtë javë ose gjatë javës së ardhshme propozimet konkrete duhet të vendosen në komisionin punues të Qeverisë dhe të shqyrtohen nga parlamenti maqedonas,” tha Ilhan Kuçuk, eurodeputet.

Për autoritetet vendase nuk ka afat. As kryeministri nuk tregon se në cilën seancë të qeverisë do të miratohen draft amendamentet për ndryshimet kushtetuese, të cilat, sipas tij, prej javësh janë në fazë përgatitore nga shërbimet.

“Vlerësoj se kemi kohë për t’i miratuar dhe kemi kohë për të biseduar. Deri tani ne kemi pasur bllokime nga jashtë dhe veto nga vendet fqinje megjithatë tani për herë të parë mund të kemi veto dhe bllokim nga brenda shtetit. Prandaj i them opozitës së bllokimi nuk na çon askund por vetëm se e dëmtojnë vendit dhe popullin tonë, të cilët duan të jetojnë në vend anëtar të NATO-s,” deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Draft amendamentet janë përpiluar nga grupi i punës rreth një muaj më parë. Ata parashikojnë përfshirjen e bullgarëve, malazezëve, kroatëve, sllovenëve dhe hebrenjve në Kushtetutë. Deri atëherë, në Kuvend mbahet tek-tuk vazhdimi i ndonjë seance të vjetër dhe ndonjë komision por në pjesën më të madhe, ky institucion është në pritje.

“Ndryshimet kushtetuese që assesi të vinë në Kuvend kanë lënë ligjvënësit pothuajse pa punë. Koordinatorët e grupeve parlamentare gjatë periudhës së fundit rrallë kanë dalë para mediave për të theksuar prioritetet e periudhës se ardhshme. Këtu duhet të kemi parasysh dhe faktin që gushti është muaji i pushimit kolektiv të Kuvendit dhe gjatë atij muaji nuk funksionon asgjë në Parlament,” raportoi Fatlume Dervishi, gazetare.

Procedura për ndryshime kushtetuese, nga hyrja në parlament dhe deri në miratim mund të zgjasë 4 deri në 6 muaj. /alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button