Kreu i BFI-së, mesazh në prag të Bajramit
Kreu i BFI-së, mesazh në prag të Bajramit

Kreu i Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir Fetahu uroi besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit. Fetahu mes të tjerash tha se të flijosh, nënkupton që tërë kapaciteti dhe angazhimi si shoqëri duhet të orientohet në gjetjen e mundësive për ndaljen e migracionit dhe parandalimin e largimit të kuadrove të reja nga të gjitha sferat e jetës. Sipas kreut të BFI-së kjo mund të arrihet me krijimin e kushteve dhe mundësive që rinia të gjejë perspektivën e vetë në vend.
“Në këtë ditë të madhe të Festës së Kurban Bajramit, më lejoni që nga thellësia e zemrës dhe e shpirtit, në emër të Bashkësisë Fetare Islame të vendit tonë, në emër të organeve dhe institucioneve të saja dhe në emrin tim personal të gjithë besimtarëve në vend dhe jashtë vendit ku do që jetojnë dhe veprojnë, u shpreh urimet tona duke e lutur Allahun Fuqiplotë t’i pranojë lutjet tona, kurbanet tonë, haxhin nga haxhilerët që janë duke e kryer si dhe të gjitha ibadetet tona të bëra gjatë këtyre ditëve të bekuara,” deklaroi Shaqir Fetahu, kryetar i BFI-së.