Besimtarët myslimanë festojnë Kurban Bajramin
Besimtarët myslimanë festojnë Kurban Bajramin

Gazetare: Evi Shkopi
Kështu ishte mëngjesin e sotëm atmosfera në xhaminë e Shkupit “Mustafa Pasha” ku ashtu si edhe në xhamitë e tjera në vend besimtarët ishin mbledhur për të falur namazin e Kurban Bajramit. Të renditur krah për krah njëri tjetrit besimtarët mysliman në një harmoni të plotë kryen faljen e namazit të Kurban Bajramit, ndërsa më pas dëgjuan hutben e kryetarit të BFI-së.
Kryetari i BFI-së, Shaqir Fetahu uroi që lutjet e besimtarëve të jenë pranuar po ashtu edhe sakrificat.
“Shfrytëzoj rastin që të gjithë besimtarëve të vendit tonë dhe të gjithë besimtarëve të tjerë kudo që jetojnë dhe veprojnë të ju shpreh në emër të Bashkësisë Fetare Islame urime të sinqerta dhe të përzemërta, duke lutur Allahun fuqiplotë që t’i pranojë të gjitha ibadetet e tyre, lutjet e tyre për paqe dhe mbarësi,” deklaroi Shaqir Fetahu – kryetar i BFI-së.
Kryetari i BFI-së, Shaqir Fetahu, tha se kjo festë është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse në këto ditë festohet edhe përfundimi i shpalljes së Kuranit famëlartë dhe kryhet kushti i 5-të themelor i Islamit që është Haxhi.
“Myslimanët realizojnë obligimin dhe detyrën e tyre hyjnore, prerjen e kurbaneve të tyre. Për këtë shkak quhet edhe festa e Kurban Bajramit, sepse besimtarët nga pasuria e tyre, presin kurbanet e tyre vetëm për hir të Allahut Fuqiplotë për të qenë në shërbim të atyre që kanë nevojë,” u shpreh Shaqir Fetahu- kryetar i BFI-së.
Mishi nga kafsha e flijuar ndahet në tre pjesë. Familja mban një pjesë; pjesa tjetër jepet për të afërmit, shokët dhe fqinjët; ndërsa pjesa e mbetur i ndahet të varfërve dhe nevojtarëve.
Pavarësisht se ky muaj parashikon prerjen e kurbanit, shumë qytetarë nuk kishin mundësi financiare të bënin dika të tillë. Çmimet e kurbaneve ndryshojnë, varësisht nga madhësia dhe pesha e kafshës, ndërsa qytetarët më shumë preferojnë të blejnë dele. /alsat.mk