Rama: Kemi nevojë për Bashkimin Evropian, po aq sa ka ajo për ne
Rama: Kemi nevojë për Bashkimin Evropian, po aq sa ka ajo për ne

Gazetare: Fatlume Dervishi
Vendime të rëndësishme duhet të merren që Maqedonia dhe Shqipëria të ecin bashkë drejt qëllimit të tyre strategjik, integrimit të plotë në BE, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin shqiptar Edi Rama, gjatë vizitës zyrtare të këtij të fundit në Shkup. Kovaçevski edhe një herë tha se interesat personale të liderëve, duke aluduar në kreun e opozitës Mickoskin, duhet të lihen anash.
“Unë shpresoj se Kuvendi jonë do të jetë në nivel të detyrës dhe që më në fund do të mundemi me hapa të përshpejtuar ta vazhdojmë rrugën tonë në integrimin evropian. E di se nuk do të jetë e lehtë për shkak se ekzistojnë interesa të ndryshme dhe kalkulime të ndryshme nga të gjitha partitë politike. Një pjesë e tyre shohin interesat e shtetit por një pjesë e liderëve politik shohin vetëm interesin e tyre politik por duhet të sillet vendim që do të jetë i guximshëm”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
E deri në anëtarësimin e plotë, Kovaçevski dhe Rama paralajmëruan një plan të përbashkët me Komisionin Evropian, që vendet e Ballkanit Perëndimor të cilat nuk janë akoma anëtare, të mund të përfitojnë më shumë nga unioni, para anëtarësimit. Një takim për këtë çështje, Rama e paralajmëroi të ndodhë së shpejti në Tiranë.
“Do të jenë prezent edhe miq nga Bashkimi Evropian për të diskutuar konkretisht mbi planin. Na duhet ky plan, na duhet kjo mbështetje dhe e meritojmë si vende në mes të Evropës që të mos shihemi thjeshtë si ata që duhet të bëjnë detyrat, sepse detyrat ne duhet dhe do t’i bëjmë për vete, por dhe si ata që kontribuojnë. Dhe sot më shumë se asnjëherë tjetër, në këndvështrimin tim, është e qartë që Bashkimi Evropian ka nevojë për ne sa që kemi ne nevojë për Bashkimin Evropian”, deklaroi Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.
Maqedonia dhe Shqipëria janë në vijim të procesit të skriningut, ose vlerësimit nga Bashkimi Evropian për të gjitha kapitujt e anëtarësimit. Ky proces pritet të përfundojë në fund të nëntorit kurse përpara se të kalohet në hapjen e kapitujve vendi ka si kusht zbatimin e ndryshimeve kushtetuese, gjegjësisht përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë. /Alsat.mk