Diplomatët evropian: BE-në do ta lehtësonte shuarja e Ballkanit të Hapur

Diplomatët evropian: BE-në do ta lehtësonte shuarja e Ballkanit të Hapur

Gazetare: Vjollca Aliti

Paralajmërimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për shkrirjen e ideve të nismës Ballkani i Hapur në Procesin e Berlinit do të mirëpritej nga shumë qarqe në Bashkimin Evropian. Në BE nuk ka pasur reagime zyrtare rreth këtij paralajmërimi, por, jozyrtarisht, disa diplomatë evropianë thonë për Radion Evropa e Lirë se “kjo do të mirëpritej” dhe se “do të ishte një lehtësim i madh për forcimin e Procesit të Berlinit dhe të proceseve tjera”.
Në kuadër të Ballkanit të Hapur janë arritur disa marrëveshje, si për bashkëpunim ekonomik dhe lëvizje të lirë. BE-ja ka qenë vazhdimisht e paqartë rreth kësaj nisme. Formalisht, nuk është shprehur kundër, sepse, në parim, mbështet çdo nismë që ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit rajonal. Por, në anën tjetër, shumë qarqe në BE e kanë parë atë si dublifikim i proceseve ekzistuese, si: Tregu i Përbashkët Rajonal, Procesi i Berlinit, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, Marrëveshja për Tregti të Lirë – CEFTA e të tjera.

Marrë parasysh se në nismën Ballkani i Hapur, edhe pas disa vitesh, kanë mbetur vetëm tri vende anëtare, për të nuk mund të thuhet se është gjithëpërfshirëse. Prandaj, shumë diplomatë në BE, jozyrtarisht, kanë shprehur qëndrimin se kjo nismë nuk e ka mbështetjen e plotë. Në vend të kësaj, nga BE-ja është bërë thirrje që vendet e rajonit të fokusohen në Procesin e Berlinit, edhe pse as ai proces formalisht nuk është në kuadër të veprimit institucional të Bashkimit Evropian. Nga ana tjetër, Procesi i Berlinit ka fituar një mbështetje të plotë nga të gjashtë shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, ashtu si edhe mbështetje ndërkombëtare. Qëllim i kësaj nisme ndërqeveritare është t’i lidhë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimin Evropian dhe t’i ndihmojë ata të ndërtojnë marrëdhënie të ndërsjella mbi bazën e vlerave evropiane. BE-ja ka qenë shumë aktive në mbështetjen e këtij procesi, duke u treguar e gatshme edhe për bashkëfinancimin e disa projekteve.

Deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili edhe do të jetë mikpritës i samitit të radhës të Procesit të Berlinit, shihen nga shumë diplomatë në BE si mundësi për “rrugëdalje të ndershme”. Sipas tyre, tri vendet e Ballkanit të Hapur do të mund të thonë se kjo ide “nuk ka qenë e kotë” dhe se ajo “do ta begatojë Procesin e Berlinit”. Ndërkohë, siç thonë diplomatët, do të hiqet edhe presioni ndaj Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës që t’i bashkohen një procesi, të cilit nuk i janë bashkuar deri më tash.

Procesi i Berlinit ka nisur si ide e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel. Por, edhe pasardhësi i saj, Olaf Scholz, ka vendosur ta mbajë këtë proces si prioritet. Ai ka qenë mikpritës dhe organizator i një samiti, ku janë nënshkruar disa marrëveshje kyçe mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. /ALsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button