Paris Sen Zhermeni firmos me 18 vjeçarin Ndour

Paris Sen Zhermeni ka konfirmuar zyrtarisht transferimin e mesfushorit Çer Ndour, si lojtar i lirë, pas skadimit të kontratës me Benfika-n. Klubi francez ka vazhduar me përforcime këtë verë, pasi tashmë ka konfirmuar transferimin e gjashtë në këtë afat kalimtar. Pas Milan Shkriniar, Marko Asensio-s, Manuel Ugarte, Lee Kang-In dhe Lukas Hernandezit, PSZH ka konfirmuar edhe ardhjen e Çer Ndour me anë të faqes zyrtare.
“Paris Sen Zhermeni është i kënaqur të njoftojë nënshkrimin e Çer Ndour. Mesfushori 18-vjeçar ka nënshkruar një kontratë pesëvjeçare me klubin dhe do të mbajë numrin 27”, thuhet në njoftimin e PSZH-së.
Mesfushori italo-senegalez fillimisht u paraqit për ekipin rezervë të Lisbonës në Liga Portugal 2, duke u bërë kështu, në moshën 16 vjeç e 279 ditë, lojtari më i ri ndonjëherë që ka luajtur për Benfika B.
Më 18 mars 2023, ai bëri debutimin e tij me ekipin e parë në një lojë kundër Vitoria de Guimaraes, gjë që i dha atij mundësinë për të luajtur një pjesë në fitoren e titullit të ligës së Benfica-s sezonin e kaluar.
“Jam shumë i prekur. Është një përzierje emocionesh, por është lumturi mbi të gjitha sepse Paris Saint-Germain është një nga klubet më të mira në botë me kaq shumë fitues dhe për mua është një nder të jem pjesë e kësaj familjeje të re”, ka thënë Ndour pas transferimit.