Ngannou përball Fjurit, do të fitojë dyfishin nga luftërat në kafaz

Më 28 tetor, në Arabinë Saudite, do të zhvillohet një duel me 10 raunde në sportin e boksit mes kampionit britanik Tajson Fjuri dhe kamerunasit Francis Nganou. Ky i fundit është ish-kampion bote në peshën e rëndë në artet marciale mikse.
Menaxheri i Ngannou, ka rrëfyer për “Daily Mail” se kamerunasi do të arkëtojë nga ky duel dyfishin e parave që ka fituar përgjatë gjithë karrierës së tij në kafaz (14 duele). Një sfidë që do të zhvillohet me rregullat e boksit, e ku Fjuri nuk rrezikon të humbasë titullin e kategorisë “WBC”.
Nga ky duel, Ngannou do të përfitojë 8 milionë dollarë, ndërkohë që përgjatë 14 dueleve në kafaz ka fituar vetëm 4 milionë dollarë. Në duelin e fundit na MMA, Ngannou fitoi 457 mijë dollarë, shifër kjo shumë e ulët krahasuar me arkëtimet që ka Fjuri në duelet e boksit.
“Jeta po ndryshon për Francisin. Kjo është ajo që kishim planifikuar dhe realisht po ndodh, ndaj jemi të lumtur. E pranoj që fitimi nga ky duel është shumë më i madh se sa ai ka fituar përgjatë gjithë karrierës”, tha menaxheri i Nganou, që u largua nga “UFC” në janar 2022.